December 23, 2024

“I dashur Robert, të kujtohet Teatri Kombëtar i kthyer në Bingo?”

Në një mesazh që ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i përcjell një distancë aktorit Robert Ndrenika, i përmend atij një detaj të një kohe të kaluar, kur gjysma e ambienteve të Teatrit Kombëtar u kthyer në Bingo.

“Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert”, shkruan ndër të tjera gruaja në krye të Kulturës shqiptare, e ballafaquar së fundi me një protestë të aktorëve të TK-së, të cilët nuk janë dakort që të transferohen tek teatri i ri “Turbina”, duke dyshuar se Teatri i tyre tradicional, ai Kombëtar, do rrafshohet.

Po pse znj.Kumbaro ia kujton Ndrenikës kohën e bingos në teatër?

A ka diç që lidhet direkt me emrin e aktorit të madh në këtë të kaluar jo fort krenare për artin skenik shqiptar, ku ngjitazi me të, rrotulloheshin gogla e thirrej “linja!” ose “bingo!”, nën tym duhani?

Në atë kohë, Ndrenika ishte deputet i PD-së. Mandatin e tij politik, aktori i njohur e ka ushtruar nga viti ’92 e deri në ’96-ën, ku më pas Berisha futi tek lista e deputetëve dy emra të tjerë të njohur të artit filmik e skenik, Ndriçim Xhepën dhe Xhevdet Ferrin.

Bingoja në TK u instalua pikërisht ato vite, në kulmin e një dehjeje kolektive për të fituar para me bixhoz, hem me gogla e hem me fajde.

Dhe në një prej dy godinave të TK-së, aty ku sot është Teatri Eksperimental, u instalua një Bingo e quajtur “Ylli”, Pronari i saj, Flamur Reçi, pjesë e strukturave të Partisë Republikane, e morri atë ambient nga miku i tij i partisë, Neritan Alibali, atë kohë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Është plotësisht e vërtet se nga komuniteti i aktorëve, së paku publikisht, nuk pati asnjë reagim.

Ndoshta dhe për faktin se ata merrnin dhe një sasi të ardhurash nga vetë Bingoja. Pra, ishte diçka që jua ngrohte xhepin.

Qenë vetëm disa zëra të vetmuar publikë ata të cilët e cimbisnin këtë çështje, faktin që gjysma e TK-së ishte kthyer në Bingo.

Pra, mund të hamendësohet se kujtesa që znj. Kumbaro i përcjell Ndrenikës në formë kritike për Bingon e dikurshme në Teatër, kohë kur aktori i njohur kishte, ndër të tjera dhe pushtet politik si deputet, është një lloj tendencë për çarmatosjeje që ajo i bën qëndrimit të tij sot, ashpërsisht kundër ndërhyrjeve në TK.

Dhe ngjan se protagonizmi i Ndrenikës po ka dhe një fokus paksa politik. Atij nuk i është njohur deri më sot një pozicionim i tillë, edhe pse TK ka kaluar kohë shumë të më të vështira.

Madje kohë më parë, Ndrenika do të shihej së bashku me Kiço Blushin, që të dy bashkë në një protestë anti-Rama thirrur nga PD.

Facebook Comments

MineralHygienics.com