December 3, 2024

INSTAT, institucioni bëhet i pavarur

Kreu i qeverisë ka hequr dorë nga Instituti i Statistikave, duke i dhënë atij statusin e institucionit publik të pavarur.

Deri më sot INSTAT ka qenë në varësi të Kryeministrit, por një projektligj i miratuar nga Këshilli i Ministrave rikoncepton mënyrën se si funksionon dhe emërohen drejtuesit e këtij institucioni.

INSTAT do të jetë një strukturë e pavarur, e cila do të lejohet që të gjenerojë të ardhura për llogari të palëve që janë të interesuara për të marrë statistikat zyrtare. Punonjësit e këtij Instituti do të kenë statusin e nëpunësit civil, ndërsa mënyra e funksionimit dhe detyrat do të vendosen nga bordi drejtues.

Tashmë me këtë ligj, Drejtori i Përgjithshëm miratohet nga Kuvendi, me propozim të qeverisë, në një garë mes shumë kandidatëve, ku numri minimal duhet të jetë 3.

Po ashtu ligji përcakton se kreu i INSTAT duhet të ketë doktoraturë në shkencat ekonomike ose ekzakte, ndërsa vitet e punës duhet të jenë minimalisht 10.

Por në dispozitat kalimtare të ligjit, thuhet se Drejtori i Përgjithshëm aktual do të vijojë të qëndrojë në detyrë, derisa të mbarojë mandatin 5-vjeçar me të drejtë rikandidimi, kështu që zgjedhja e tij nga Kuvendi do të bëhet pas 3 vitesh.

Klan

Facebook Comments

MineralHygienics.com