ALARM/Mos konsumoni duhan brenda mureve te shtepise

Sipas një studimi të kohëve të fundit lëndët kanceroze të duhanit mbeten në ambjentet e shtëpive tuaja për më shumë se 6 muaj.

Edhe nëse hiqni dorë nga duhani, por e keni pirë atë brenda shtëpisë tuaj më parë, lëndët e dëmshme mbeten sërish atje, në divane, mure dhe tapete.

Kërkuesit e universitetit të San Diegos ngulin këmbë se zbulimet e bëra duhet të shërbejnë si një paralajmërim për duhanpirësit se zakoni i tyre i të pirit duhan prek dhe dëmton rëndë edhe njerëzit e tjerë rreth tyre.

“Është e rëndësishme të dihet se si lëndët e dëmshme të duhanit qëndrojnë në shtëpi dhe se si janë të ekspozuar personat që jetojnë në atë shtëpi ndaj lëndëve toksike” tha Georg Matt, drejtuesi i studimit dhe njëkohësisht profesor psikologjie pranë universitetit San Diego.

Profesor Matt dhe kolegët e tij studiuan 90 duhanpirës të cilët ishin gati të hiqnin dorë prej duhanit.

Në harkun kohor të 6 muajve, kërkuesit vizituan në mënyrë të vazhdueshme shtëpitë e ish duhanpirësve.

Ata morën mostra nga muret, dyert, pluhuri në dysheme, urina dhe nga duart e banorëve të shtëpisë.

Gjatë analizës së këtyre mostrave, ata kërkuan për prani të ndonjë kimikati që ka lidhje me duhanin, si nikotina, kotinina, dhe për lëndën që njihet si shkaktar i mundshëm i kancerit të mushkërive, NNK.

Sipas profesor Matt fakti që ambjenti nuk pastrohet plotësisht nga duhani edhe pasi është hequr dorë prej tij, është një nga arsyet se përse duhanpirësit e kanë kaq të vështirë ta lënë atë.

Aroma e duhanit është kudo, që do të thotë se tundimi për ta filluar sërish atë është ende i pranishëm.

Facebook Comments