Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se Reforma në Drejtësi dhe Vetingu e kanë futur opozitën në një hall të madh.
Rama tha se është hapur gropa e drejtësisë.
“Sot kërkuat mocion për votën në OKB, nesër mund të kërkoni për kanalin e Panamasë, pasnesër për rritjen e temperaturës në polin e veriut, sepse jeni në hall. Do ishit në gjendje edhe të shpërtheni një luftë nukleare nëse do të kishit gjë në dorë. Shkak është vorbulla e peshës së ankthit këtu, ju keni humbur pushtetin dhe arsyen dhe tani keni humbur gjumin. E mallkuara Reforma në Drejtësi që e votuat këtu, Vettingu që nuk e ndalët dot dhe partia këtu që nuk e mundët dot iu ka futur në një hall të madh. Ju e kthyet shtetin shqiptar në një zhele, ju sot jeni gati të bëheni çifutë, eskimezë dhe dele e zezë për t’u fshehur pas një identiteti tjetër për të mos iu kapur. Dëgjova njërin që doli në një kazan dhe tha nuk duam investime turke, ai kur ngrihet ha pilaf dhe pi raki, e fillon drekën me plons dhe në aksamsh i fut groshë dhe pastaj tapë. Pilaf, groshë dhe frikë nga ajo që po iu vjen. Cohet Saliu dhe thotë 21 Janari, gjuha shkon atje ku dhemb. Ju bashkë me artistin, mikun tim Lulzim e futët detin në govatë dhe firmosët një marrëveshje tradhtie dhe sot jeni gati që ‘deti’ të na marrë të gjithëve nga gropa që po u hapet. Gropa e ndëshkimit të drejtësisë. Ti Sali, je i ditur dhe djallëzuar, por je i trembur, por frika juaj po u tërheq në një rrugë pa rrugë. Druri i ligjit në kokën e të gjithë atyre që i kanë kusure popullit. Kanë filluar që të kërcasin arrat dhe nuk e gjeni dot shpëtimin në Jerusalem”- tha Rama.