Motra e liderit të Koresë Veriore do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike që do të mbahen në Korenë Jugore, shkruan BBC
Kim Yo-jong, vajza e vogël e ish-liderit të Koresë komuniste Kim Jong-il, ishte ngritur në detyrat shtetërore muaj më parë nga vëllai, Kim Jong-un, që drejton Korenë Veriore me grusht të hekurt.
Pjesëmarrja e saj në ceremoninë e Lojërave Olimpike në Jug po shihet si përparim në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Një veprim i tillë vjen pasi delegacionet e të dy shteteve u pajtuan javë më parë që të garojnë nën një flamur të vetëm në këto lojëra. Megjithatë, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë që kjo nuk do t’i ndryshojë pretendimet e Koresë Veriore për prodhimin e armëve nukleare.
Për lojërat olimpike PyeongChang Winter Olympics, delegacioni i Koresë Veriore do të udhëtojë për në Jug të premten, ndërsa do të qëndrojnë për tre ditë.