November 24, 2024

Ja si e quajne aktoret e portokallise Xhemin

“Portokallia” është gati për të nisur sezonin e ri në Top Channel.

Pasditen e sotme, në “Pasdite në Top Channel”, për të folur për sezonin e ri të “Portokallisë” ishin të ftuar Albana Perhati, Ledio Lako dhe Xhemi Shehu. Duke rrëfyer shumë prej skenave e prapaskenave të spektaklit, aktorët dhe moderatorja e njohur e ekranit nuk lanë edhe pa ia nxjerrë të palarat njëri-tjetrit. E mësuar me aktorët, me batutat e tyre, por edhe me improvizimet që dalin nga skenari, Xhemi tashmë ka fituar më shumë siguri, madje është në gjendje të paramendojë se çfarë do të bëjë kush edhe nëse ndonjë situatë del jashtë kontrollit.

Dialogët me Ledion, ndërsa ai luan personazhe të ndryshme, për Xhemin tashmë janë thuajse të parashikueshëm. Ajo, madje, e di ndoshta më mirë se kushdo, se Ledio e ka tmerr nëse personazhi që ka dialog me të harron tekstin, aq më tepër nëse është tekst i shkruar prej tij. Por ishte pikërisht ai vetë që harronte ndonjëherë tekstin e spiunit, personazhi që hetonte gjithçka e gjithkënd. Dhe sa herë ndodhte kjo, ishte Xhemi që ia kujtonte.

Kështu tregon Ledio, ndërsa kujton se personazhi i spiunit ishte i vështirë, për shkak se ai nuk duhet të të shohë në sy dhe duhet ta mbajë kokën ulur: “Bëja prova, por harroja ndonjëherë edhe tekstin. Dhe sa herë ndodhte kjo, ma tregonte Xhemi”, – thotë ai me të qeshur duke zbuluar se Xhemi, tani që ka marrë emrin shoqja Neti (shkurtim i nëpërka – spiune e sigurimit) është bërë si aktorët e Portokallisë: “Po, kështu më thërrasin”, – thotë Xhemi me të qeshur.

Xhemi është mësuar me emra, është lakuar shpesh për emrin e saj të vërtetë, por ky që i paskan vendosur kolegët në Portokalli, qenka vërtet interesant – spiunia e Portokallisë?

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com