Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi me anë të një mesazhi të ndjerë, ka folur për vdekjen e mikes së saj dhe një nga themelueset e LSI-së, Luzhiana Abazi.
‘Nuk mund të shkruaj, ka orë që mundohem, por është vështirë. Luzhi u largua fizikisht sot nga ne, duke na lënë një dhimbje dhe boshllëk të pazëvendueshëm.
Energjia dhe dashuria që ajo na dhuronte pa kushte do të na mungojë gjithmonë. Ndoshta sëmundja e rëndë ja doli të të mundë përkohësisht, por ti do jesh engjëlli që do na shohësh e do kujdesesh për ne, siç ke bërë gjithmonë.
E dashur motra ime, mikeshë e zemrës dhe e betejave tona, do të jesh gjithmonë pjesë e imja, në ditë të vështira dhe të mira. Sepse askush nuk mund ta zëvendësojë forcën dhe kurajon që vetëm ti dije të na jepje si askush’, shkruan Kryemadhi në Facebook.
Mësohet se homazhet për Luzhiana Abazin, do të bëhen nesër nga ora 09:00 deri në orën 11:00 tek Muzeu Historik Kombëtar.