Partia Demokratike ka dënuar sot ashpër, deklaratën e Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos, i cili e konsideron të pakuptimtë shtrimin e çështjes çame nga Shqipëria, ndërkohë që kërkon prespektivën evropiane duke kërcënuar madje, edhe me bllokim.
Reagimi i PD-së është artikuluar nga kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme, Kreshnik Çollaku, i cili thekson se deklarata e presidentit grek për Çamërinë është arrogante dhe e papranueshme.
Përmes një shënimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Çollaku shprehet se deklarata e kreut të shtetit helen nuk ka asnjë lidhje me frymën e Europës të cilën njohim dhe duam ne Shqiptarët.
Reagimi i plotë i Kreshnik Çollakut
Arrogante dhe e papranueshme deklarata e presidentit grek për Çamërinë. Çamëria është pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Integrimi Evropian është një interes kombëtar i shqiptarëve .
Por Evropa që shqiptarët ëndërrojnë është ajo e respektit te identiteteve dhe lirive të çdo individi apo kombi…
Nuk e di për cilën Evropë flet presidenti grek…por e sigurtë është se nuk flet për Evropën që njohim e duam.