December 27, 2024

Kretë, mbyllet mësonjëtorja e Gjuhës Shqipe, grekët mësyjnë shkollën

Grupe të rinjsh grekë bllokuan të shtunën mësimin e gjuhës shqipe në një shkollë në Paliohora në ishullin grek të Kretes, ndërkohë që një javë më parë mësimi ishte zhvilluar normalisht për 38 fëmijë shqiptarë.

Burime nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në këtë zonë i thanë Zërit të Amerikës se kurset e planifikuara të gjuhës shqipe për t`u zhvilluar në shkollën e mesme pasditen e së shtunës u shtynë nga presioni i njerëzve që ishin mbledhur para rrethimit të shkollës. Portalet greke vendore publikuan foto ku në hyrje të godinës qëndronte një grumbull të rinjsh dhe në portën e shkollës ishin vendosur flamuj grek.

 

Raportimet e medias lokale greke pohojnë se situata është tensionuar pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një foto e një nxënësi shqiptar me bluzën ku ishte stampuar harta e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimi: ‘Autochthonous’. Foto i përkiste dy javëve më parë kur ishte organizuar ceremonia e fillimit të kurseve të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që banojnë në këtë zonë.

Një javë më parë mësimi i shqipes nuk u lejua në qytetin e Hanai, po në këtë ishull. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Hanias në ishullin turistik të Kretes në Greqi tha fundjavën e shkuar se ishte shtyrë fillimi i kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Kjo, për arsye se Këshilli i Përgjithshëm Pedagogjik i Hanias do ta diskutonte vendimin për shkollën në të cilën do të zhvillohej mësimi i shqipes.

Burimet greke thanë të premten e javës së shkuar,më 26 janar se drejtori i gjimnazit ku pritej të niste mësimi i shqipes javëne shkuar dha dorëheqjen.

Disa nga mediat greke e vlerësuan ngarjen si “shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie” në një shkollë në Hania në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë përpjekjet për të përmirësuar marëdhëniet dypalëshe. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Hania ka shprehur vendosmërinë për fillimin e kurseve të gjuhës shqipe në këtë rajon.

Në Greqi shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve të huaj dhe një nga sfidat e tyre është mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët. Në Athinë dhe Selanik funksionojnë disa kurse për mësimin e shqipes, të hapura nga Organizata te emigrantëve, por nevojat janë të mëdha në shumë rajone. /VOA

Facebook Comments

MineralHygienics.com