Debati për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve mbetet i bllokuar për shkak të numrit të madh të amendamenteve të VMRO-së opozitare, e cila kundërshton miratimin e ligjit me arsyetimin se ai është kundërkushtutues, pasi gjuhën shqipe e barazon me atë maqedonase, gjë që bie ndesh me nenin pesë të Kushtetutës së Maqedonisë.
Kjo parti ka dorëzuar mbi 35 mijë amendamente dhe shërbimet e Kuvendit deri më tani kanë përkthyer gjysmën e tyre, ndërsa pas përkthimit edhe të pjesës tjetër do të vendosen nëse do të nisë debati apo nëse do të kërkohen forma tjera të zhbllokimit të Kuvendit.
Daljen nga situata e krijuara, disa nga njohësit e çështjeve juridike e shohin në takimet mes grupeve parlamentare, në të kundërtën, nëse partitë mbeten në qëndrimet e tyre, atëherë puna e Kuvendit lidhur me këtë pikë, asnjëherë nuk do të mund të zhbllokohet.
“Nëse te dyja palët, edhe LSDM-ja edhe VMRO-ja mbeten në qëndrimet e tyre, kjo edhe formalisht nënkupton bllokim të punimeve të Kuvendit, pasi partia e cila paraqet mbi 30 mijë amendamente, aspak nuk e ka qëllimin që të përmirësojë përmbajtjen e ligjit, por të bllokojë miratimin e tij”, thotë Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve juridike duke shtuar se një qasje e tillë do të bllokonte miratimin edhe të ligjeve tjera, që janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Në një situatë të tillë, ai thotë se pushteti mund të detyrohet në marrjen e masave të ndryshme për zhbllokimin e gjendjes së krijuar.
“Pushteti ka të drejtë legjitime të kërkojë zgjidhje tjera në kuadër të rregullores për të anashkaluar debatin e pafund të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, pasi këtu nuk kemi të bëjmë me debat kualitativ. LSDM dhe BDI ishin të gatshme të miratojnë ligjin këtë javë, por gjërat janë ndryshuar nga VMRO-ja. Besoj se në Rregulloren mbi punën e Kuvendit mund të gjenden mundësi për uljen e numrit të amendamenteve”, thotë Dujoski.
Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës thotë se kjo që bënë VMRO-ja nuk ka të bëjë me mbrojtjen e Kushtetutës, por është kundër të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe.
“Është shumë e padrejtë, madje edhe kundër një të drejte natyrore. Brenda 90 ditëve patën protesta në rrugë, ndërsa edhe vetë presidenti pati një ton nënçmues për gjuhën shqipe dhe gjithë këto janë të padurueshme për palën shqipetare. Përdorimi i gjuhës është një e drejtë natyrore, por këta janë edhe kundër kësaj të drejte. Ata po shfrytëzojnë rrethanat kritike në të cilat ndodhet vendi, por këto janë indikacionet se duan edhe ta çorientojnë Maqedoninë, kjo është një fatkeqësi e madhe”, thotë Selmani.
Sipas tij, për kapërcimin e gjendjes ekzistojnë dy mundësi, amendamentet që janë të natyrës së njëjtë të bëhen në një të vetme, apo edhe ligji të tërhiqet për një periudhë nga procedura dhe kjo kohë të shfrytëzohet, siç thotë, për të demaskuar VMRO-në, pasi edhe kjo kishte mbështetur një zgjidhje të këtilla deri sa ishte në pozicion për të formuar Qeverinë e re.
Selmani gjithashtu mbron qëndrimin se gjuha shqipe me këtë ligj nuk merr formën e gjuhës zyrtare, ashtu siç pretendon partia opozitare maqedonase.
“Mendoj se duhet të gjejnë ndonjë formë të përbashkët dhe besoj se ka mundësi procedurale për të bashkuar amendamentet. Si zgjidhje e shoh edhe mundësinë që për një kohë ky propozim të tërhiqet nga rendi i ditës. I njëjti ligj është i përafërt me atë të propozuar nga VMRO-ja, dhe tani nga LSDM-ja. Ky propozim nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, por ajo është vënë në pozitën e gjuhës së minoriteteve, prandaj edhe besoj se nga shtyrja nuk humbet gjë. Mendoj se mund të kalohet një kohë e cila do të shfrytëzohej për zbardhjen e qëllimit të keq të VMRO-DPMNE-së”, thotë Selmani.
Ligji për përdorimin e gjuhës ishte votuar nga të gjitha partitë politike, me përjashtim të VMRO-së, por ai nuk arriti të hyjë në fuqi për shkak të mosdekretimit nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili mban të njëjtën vijë me VMRO-në. Zgjidhja e ofruar parasheh avancim të theksuar të përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit shtetëror, si në Qeveri, Kuvend, gjyqësor dhe organe tjera, si në të shkruar ashtu edhe në të folur./REL/a.m.