November 23, 2024

Eksportet “ecin vetë”, Zusi: Presim rritje të qëndrueshme, diplomacia ekonomike teori

Eksportuesi shqiptar është i vetmuar përballë tregjeve të huaja dhe ka nevojë për mbështetje konkrete nga qeveria, përmes një strategjie të rënë dakord mes gjithë palëve

 

Eksportet pritet që të ruajnë trendin e tyre të rritjes së qëndrueshme edhe gjatë këtij viti, por jo për meritë të ndonjë incentive të veçantë fiskale, apo strategjie. Të paktën ky është mendimi i Presidentit të Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, në një intervistë për “Monitor”.

Sipas tij, sot eksportuesi shqiptar është i vetmuar përballë tregjeve të huaja dhe ka nevojë për mbështetje konkrete nga qeveria, përmes një strategjie të rënë dakord mes gjithë palëve. Ai sjell në vëmendje edhe pjesën e diplomacisë ekonomike që po lakohet aq shumë së fundmi por, që sipas Zusit, nuk duhet të mbetet në teori por të ketë angazhim real në funksion të promovimit të Shqipërisë dhe prodhimeve shqiptare, pse jo edhe lobim cilësor për të depërtuar në tregje të veçantë.

Zoti Zusi, si do ta vlerësonit vitin e kaluar për eksportet shqiptare? Shifrat zyrtare rikonfirmojnë rritjen për fasonët dhe materialet e ndërtimit. Një koment mbi ecurinë, problemet si dhe pritshmëria juaj për vitin aktual?

Përgjithësisht, 2017 ka qenë një vit i mbarë për eksportet, veçanërisht për eksportet industriale. Kur them eksportet industriale, kam parasysh eksportin e materialeve të ndërtimit që ka qenë ndër më të suksesshmit, me rritjen më të madhe nga gjithë kategoritë e tjera. Eksporti i industrisë së lehtë, ku kam parasysh industrinë tekstile dhe këpucëve, përsëri vazhdon të jetë me rritje të lartë. Eksportet ushqimore, të cilat përsëri vazhdojnë të kenë rritje, qoftë eksporti i produkteve lëndë e parë fruta-perime të freskëta, por edhe produktet e përpunuara industriale. Në përgjithësi, këto lloj eksportesh kanë pasur rritje të veçantë dhe të qëndrueshme që besoj do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme edhe gjatë këtij viti.

Ka pasur probleme me eksportin e energjisë elektrike, për shkak të kushteve klimatikë, ka pasur probleme me eksportin e produkteve të tjera koniunkturore, siç janë mineralet apo karburantet. Ajo çka është e rëndësishme, është që eksportet që varen nga industri të caktuara, që janë të qëndrueshme në treg dhe punësojë një numër më të madh njerëzish, po rriten. Po kështu ka një tendencë për të mbyllur ciklin produktiv. Nëse do të ketë një aksion ose një plan strategjik, që Shqipëria ende nuk e ka, eksportet mund të rriten shumë më tepër, madje edhe të dyfishohen.
Shqipëria sa i përket kësaj fushe nuk ka prioritete, nuk ka një analizë për pengesat apo mbi faktorët që mund të rrisin apo fuqizojnë eksportin shqiptar. Pra, do të isha i lumtur që këtë vit, qeveria shqiptare, së bashku me organizatat e biznesit, të fokusuara kryesisht në eksporte, të hartonin një plan strategjik për eksportet.

Të kuptojmë se çfarë duam të bëjmë dhe të fillojmë të funksionojmë në këtë drejtim. Për shembull, në fushën e industrisë ushqimore, ku pa diskutim ne kemi potencialin më të madh për eksporte, kemi pengesa nga më absurdet. Mjafton të themi për shembull taksa e ambalazhit, e cila rrit me 15% koston e produkteve shqiptare duke i bërë ato jokonkurruese. Ka shumë pengesa të tilla të karakterit administrativo-burokratik, jo të karakterit ligjor në shumicën e rasteve. Pastaj për ta bërë më agresive industrinë tonë eksportuese do të duhej që ne, krahas heqjes së pengesave dhe zbatimit të ligjit, të ndërmerrnim paketa të tjera nxitëse për të mbështetur eksportin e produkteve shqiptare.

Nga programi që ka qeveria, a shihni një reflektim të asaj motos se rritja duhet të vijë nga eksportet. A mbështet ky program përpos të tjerave, edhe pjesën e eksporteve?

Programi i qeverisë tenton të krijojë një diferencim sa i përket incentivave për sektorë të veçantë siç është turizmi. Diferencon TVSH-në për të nxitur një kategori të veçantë, por është shumë e pamjaftueshme, sepse turizmi pa diskutim që është një nga industritë e rëndësishme, madje dy-tre më të rëndësishmit. Por tek turizmi, masat që merr sot, nëse çdo gjë zhvillohet shumë mirë, impaktin e jep pas 5 vitesh. Ndërkohë që paketa të ngjashme, po të aplikohen në sektorë të tjerë, siç është bujqësia, ndikimin e marrin për 6 muaj ose brenda një viti.

Çfarë mendoni për skemën e re mbështetëse në bujqësi, a garanton ajo një bazë të mirë për potencialin e rritjes së eksporteve në këtë sektor?

Pa hyrë në detaje, skema sjell disa risi. Përpiqet të sjellë më shumë transparencë. Përpiqet të zgjerojë më shumë bazën e përfituesve, por ne ende nuk shohim një skemë, e cila të jetë e analizuar, për të hequr pengesat, për të barazuar kostot zë për zë, element për element, me produktet konkurruese apo tregjet konkurruese dhe pse jo, edhe për të lehtësuar, nëse është e nevojshme nga pikëpamja fiskale, faza të caktuara të prodhimit, në mënyrë që së pari të zëvendësojmë importet.

Pra impakti i parë në përmirësimin e bilancit valutor, sepse në fund të fundit eksportet shërbejnë për të përmirësuar bilancin valutor, beteja e parë që duhet të zhvillohet është zëvendësimi i importeve. Pra, për të pasur një bilanc valutor më të mirë që të plotësosh kërkesat e tua. Jo çdo gjë mund ta prodhosh vetë, nuk jam për ekonominë me forcat tona, por ama disa produkte të importeve ne mund t’i prodhojmë në vend dhe gjëja e parë që mund të bëjmë është të shesim brenda vendit, produktin tonë. Së dyti, edhe në drejtim të eksporteve, kemi skema që tentojnë të rrisin motivimin e fermerit për t’u marrë me bujqësi, por nuk kemi skema të mirëfillta, me fokus të drejtpërdrejtë që produkte të caktuara t’i çojmë në eksport me vlerën maksimale. Pra, eksportojmë dhe sot fruta-perime, por i eksportojmë me 70 cent dhe jo 1.5 euro siç i eksporton Holanda.

Sa i mbrojtur është eksportuesi shqiptar sot? Jo të pakta janë rastet kur produkte shqiptare janë lënë jashtë traut doganor të fqinjit nën argumente të ndryshme që, herë qëndrojnë dhe herë janë rrëzuar?

Eksportuesi shqiptar sot është i vetmuar përballë tregjeve të huaja. Nuk ka mbrojtje kombëtare për aktivitetin e tij, fjala vjen eksportuesi maqedonas është i mbrojtur, sepse sapo vjen sezoni i tij kryesor, produktet shqiptare bllokohen në kufi nga autoritetet doganore, me argumentin e rreziqeve. Ne nuk kërkojmë këtë mbrojtje, sepse kjo është e pandershme, por duhet të politikë tërësore. Për shembull, që në panaire ndërkombëtare të ketë një stendë kombëtare të paguar nga qeveria shqiptare, me shpenzimet e saj dhe ku eksportuesit shqiptarë të shkojnë dhe të ekspozojnë. Kjo ende nuk po ndodh, ndërkohë që në shumë vende të botës, kjo është një praktikë krejt normale. Mjaft të përmendim Turqinë, që është një ndër vendet me rritjen më spektakolare të eksporteve në 20 vitet e fundit dhe përvoja është kjo që po flasim, ku çdo eksportues turk mund të marrë pjesë në 12 panaire gjatë vitit në vende të ndryshme të botës dhe shpenzimet i ka nga shteti.

Kjo, sepse shteti, e di që, nëse nga një panair i caktuar, përkundrejt një vlerë 10-20 mijë euro, ky biznes do të lidhë një kontratë, këto para i kthehen disafish ekonomisë shqiptare. Të tilla mbështetje ne nuk i kemi. Kjo është një ndër elementet. Ndaj dalim te nevoja e një strategjie profesionale me ekspertë vendas dhe të huaj. Do të shihnim se ka shumë elemente që prodhuesi dhe eksportuesi shqiptar të mos jenë të vetëm në një treg të madh, por të jenë në kuadër të një mbështetje të përgjithshme dhe të orientuar të qeverisë shqiptare.

Ne nuk kemi diplomaci ekonomike, pavarësisht presionit të fortë që bëhet. Kemi vetëm teori, por nuk ka një aksion. Diplomatët tanë nuk e dinë se çfarë kemi për të eksportuar dhe ku duam të eksportojmë. Diplomatët tanë nuk negociojnë me tregje apo zinxhirë të rëndësishëm shitjeje nëpër vende të rëndësishme europiane, të cilët mund t’i fusin produktet shqiptare në një pavijon të caktuar, kundrejt një favori të caktuar.

Për shembull, ne mund të bëjmë promovim që diaspora shqiptare në Itali të blejë në një supermarket të caktuar sepse ky supermarket ka edhe një pavijon të produkteve shqiptare. Pra, kjo është një strategji që do t’i mbështeste këto produkte. Kjo nuk ekziston. Ndaj eksportuesi çdo gjë që bën, e bën i vetmuar, ndërkohë që nuk ndodh kështu me vendet e tjera./monitor

 

 

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com