November 23, 2024

Ja çmimi që duhet paguar për të pasur furnizim me ujë 24 orë/ditë/TIRANE

Ndriçim SHANI
Kryetar i Entit Kombëtar Rregullator të Ujit

 

Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë aplikoi në mesin e vitit 2017 pranë ERRU për një rritje të çmimeve (tarifave) për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura. Për konsumatorët familjarë u propozua një rritje çmimi nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3, ndërsa për konsumatorët privatë dhe institucionet shtetërore u propozua një rritje shumë më e madhe. Objektivi kryesor që shoqëria synon të realizojë me këto rritje çmimi është: Kryeqyteti gradualisht deri në fund të vitit të pestë do të ketë furnizim me ujë pa ndërprerje, pra 24 orë/ditë.

Objektivi për të furnizuar me ujë qytetin e Tiranës 24 orë/ditë është një objektiv mjaft ambicioz dhe me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kryeqytetin që përfaqëson 1/3 e popullsisë së vendit, por edhe për të gjithë vendin, sepse ajo është pasqyra e parë me të cilën prezantohet vendi ynë në aspektin ndërkombëtar.
Arritja e këtij objektivi kërkon investime fizike mjaft të mëdha në sistemin e furnizimit me ujë, ku rreth 30% e të cilave parashikohet të përballohet nga rritja e çmimit të ujit dhe rreth 70% do të përballohet nga kreditë dhe/ose donacionet që do të merren për këtë qëllim.
Natyrisht, rritja e çmimit të ujit nuk është e mirëpritur nga popullsia, reaksion që shfaqet sidomos nëpërmjet aktorëve të ndryshëm në media.

Në këtë çështje të ndjeshme për cilësinë e jetesës së popullsisë, si dhe të impaktit financiar në familjet e tyre, ERRU ka pasur rolin delikat të vlerësimit profesional dhe me objektivitet të propozimit të shoqërisë UK Tiranë, duke analizuar dhe duke vlerësuar përgjigjet e pyetjeve si më poshtë:

A është i arritshëm objektivi që Tirana gradualisht të ketë ujë 24 orë në ditë?
A janë dhënë argumentet e duhura që justifikojnë këtë rritje të çmimit të ujit?
A është i përballueshëm çmimi i ri i ujit për popullsinë?

Nëse argumentet e mësipërme nuk janë të plota apo të justifikuara, cili është çmimi i ujit më i arsyeshëm që ERRU duhet të aprovojë?
ERRU, pasi shqyrtoi paraprakisht dokumentet e propozimit të Shoqërisë, kërkoi sqarime dhe detaje nga kjo e fundit për rreth 16 çështje që kishin lidhje me propozimin e tyre. Përgjithësisht, sqarimet konsistuan në rrugët dhe mënyrat për arritjen e objektivit për një furnizim të vazhdueshëm të popullsisë, vlerësimet e investimeve të parashikuara, programet kundër lidhjeve të paligjshme, mbi humbjet administrative, si dhe sqarime të tjera të një karakteri teknik, të cilave shoqëria UK Tiranë iu përgjigj me profesionalizëm.

Analiza

Analiza e mëtejshme konstatoi që, në dy vitet e fundit, shoqëria ka pasur një zhvillim pozitiv në drejtim të përmirësimit të performancës financiare, duke mbuluar mbi 100% shpenzimet e Operim-Mirëmbajtjes kryesisht nga rritja e normës së arkëtimit, ndërkohë që treguesit e ujit të pafaturuar, të kohëzgjatjes së furnizimit me ujë të popullsisë janë ende në vlera jo të kënaqshme.
Përmirësimi në vazhdimësi i performancës financiare të shoqërisë është element mjaft i rëndësishëm për të përftuar besimin e donatorëve për financimin e investimeve kapitale që parashikon shoqëria për realizimin e objektivave të saj.

Propozimi për tarifa të reja nga shoqëria u shoqërua me një Plan Biznesi 5-vjeçar, ku skanohej dhe analizohej situata aktuale e performancës së shoqërisë nëpërmjet treguesve të performancës së shoqërisë. Objektivat e përcaktuara ishin të shoqëruara me plane të veprimit për arritjen e tyre. Përmirësimi i treguesve të performancës është bazuar në uljen e humbjeve teknike me anë të investimeve dhe të humbjeve administrative (kryesisht lidhjet e paligjshme) që arrihen duke përmirësuar aspektet e menaxhimit të shoqërisë.

Master plani

Në propozim parashikohej hartimi së shpejti i një Master Plani për zonën e shërbimit të shoqërisë, i cili do të ndihmojë me detaje të mëtejshme për zbatimin në praktikë të planeve të veprimit, për të realizuar objektivat e vendosur. Në veçanti, modelimi hidraulik i parashikuar do të qartësojë më tej strategjinë e progresit shkallë-shkallë me zona për të realizuar furnizimin me ujë në mënyrë të vazhdueshme 24 orë/ditë për të gjithë qytetin. Nga ana tjetër, Master Plani do të japë një pasqyrë më të qartë të nevojave për investime për një periudhë më afatgjatë, mbi 20-vjeçare që do të ketë shoqëria në të ardhmen.

U vlerësua i arsyeshëm kombinimi i eliminimit të lidhjeve të paligjshme me investimet fizike në linjat e transmisionit nga burimi në rezervuarë, për të ulur edhe humbjet fizike, sepse këto linja kanë përgjithësisht presione mjaft të larta dhe lidhjet e paligjshme janë subjekt i rritjes së humbjeve fizike.
Megjithëse në propozim parashikohet ulja e sasisë vjetore të ujit të prodhuar si rezultat i uljes së Ujit pa të Ardhura, vlerësohen të justifikuara investimet e parashikuara për rritjen e sasisë së ujit në sistem, si një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kërkesën maksimale për ujë në periudhën e pikut në stinën e verës.

Shoqëria ka qenë racionale në llogaritjen e vlerës së investimeve të nevojshme për tubacionet e furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve të ujërave të ndotura, duke përdorur çmimet njësi të pranueshme dhe në përputhje me ato aktuale të tregut. E njëjta gjë, edhe për vlerësimin e shtesës së impiantit të Bovillës dhe elementeve të tjerë, si makineri dhe pajisje të ndryshme teknike e logjistike.

U vlerësua gjithashtu si domosdoshmëri parashikimi për të instaluar ujëmatës elektronikë për rreth 35,000 biznese private, që paraqiten problematike në drejtim të faturimit për volumin real që ato konsumojnë. Për këtë kategori konsumatorësh, abuzimi nga ana e faturuesve me leximin e ujëmatësve klasikë është shumë i mundshëm, sepse konsumi i tyre ndryshon mjaft nga njëri te tjetri (nuk kanë një stereotip konsumi të volumit të ujit siç kanë konsumatorët familjarë) dhe vërtetësia e leximit të tyre bëhet vetëm nga kontrolli në terren. Kuptohet verifikimi në terren për dhjetëra mijë klientë paraqitet mjaft i vështirë për t’u realizuar. Krahas eliminimit të abuzimeve të mundshme, instalimi i matësve inteligjentë do të sjellë edhe reduktimin e numrit mjaft të madh aktual të faturuesve, sepse leximi ujëmatësve do të bëhet me pajisje elektronike.

Konsiderohet racionale zgjidhja që të vazhdohet të instalohen ujëmatës klasikë tek konsumatorët familjarë. Ujëmatësit inteligjentë kanë kosto të lartë dhe instalimi i tyre për konsumatorët familjarë paralelisht me rritjen e tarifës së ujit do të ishte i vështirë të pranohej nga këto të fundit. Momentalisht, instalimi i matësve inteligjentë për konsumatorët familjarë duket jo shumë i domosdoshëm, duke pasur parasysh që qyteti i Tiranës ka orientim tipik banesash kryesisht pallate dhe jo shtëpi private, që kanë mundësi abuzimi për ujitje apo larje oborresh.
Domosdoshmëri paraqitej edhe instalimi i sistemit modern të monitorim-kontrollit logjistik në largësi me sistemin SCADA, për përmirësimin e operim-menaxhim të elementeve të sistemit, dhe veçanërisht të kërkesës për ujë në kryeqytet.

Shoqëria me tarifat e reja të propozuara synon financimin e investimeve kapitale 30% nga tarifat dhe 70% nga kreditë e bankave/donatorët. Përjashtimi nga skema e granteve nga qeveria qendrore (taksa) çliron qeverinë qendrore nga kontributi që duhet të parashikonte për këtë bashki, pra për përmirësimin e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve të popullsisë në Bashkinë e Tiranës nuk do të paguajë i gjithë vendi, por vetëm banorët e saj, të cilët ekonomikisht përfaqësojnë pjesën e popullsisë me të ardhura më të larta.

Në vlerësimin e tarifave të propozuara nga shoqëria është marrë parasysh edhe çështja e përballueshmërisë për pagesën e faturës së ujit nga konsumatorët. ERRU ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familje në Shqipëri, që llogaritet rreth 70,000 lekë/familje, që nënkupton një faturë të ujit e përballueshme deri 3,500 lekë/muaj/familje. Për Bashkinë e Tiranës, tarifat e propozuara për një familje prej 4 personash rezultojnë në një faturë mujore mesatare prej 1,334 lekë/familje, pra mjaft më e ulët se kufiri i mësipërm. Në terma të tjera, rritja e propozuar për konsumatorët familjarë, për të pasur ujë pa ndërprerje, është vetëm 14 lekë/ditë/familje.

Arritja e objektivit për të furnizuar me ujë 24 orë në ditë popullsinë urbane, nënkupton për një pjesë të madhe të popullsisë dhe uljen e kostove shtesë që konsumatorët duhet të paguajnë nga përdorimi i pompave individuale për të mbushur depot familjare të tyre. Të mos harrojmë se një pjesë e madhe e ujit që furnizohet Tirana është e një cilësie mjaft të lartë në drejtim të shijes dhe vlerave obligo-minerale. Rritja e besimit të popullsisë në cilësinë e ujit, për shkak të regjimit të furnizimit me ujë 24 orë në ditë, do të ketë impakt në zvogëlimin e shpenzimeve për të blerë ujë të pijshëm në treg nga këto të fundit.

 

Rritja e çmimit

ERRU, për konsumatorët privatë dhe ata buxhetorë, ka miratuar një rritje më të arsyeshme të tarifave, duke mos thelluar më tej diferencat mjaft të mëdha që ekzistojnë aktualisht në raportin ndërmjet tyre dhe konsumatorëve të tjerë. Nga ana tjetër, nuk është aprovuar absolutisht rritja e çmimit të ujit për konsumatorët si furrat e bukës dhe ato të shitjes së ujit me shumicë.
Një element tjetër që shoqëron vendimin e ERRU për çmimet e reja të shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve është që shoqëria duhet të rishikojë skemën organizative të saj, në mënyrë që të jetë më dinamike dhe efikase, me staf profesional, duke synuar uljen e numrit të punonjësve dhe duke rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre në punë.

ERRU do të ketë angazhimin maksimal për të monitoruar arritjen e objektivave që Shoqëria UK Tiranë ka marrë përsipër. Monitorimi nga ERRU do të kryhet në bazë vjetore dhe në fund të vitit të pestë, kjo shoqëri duhet të arrijë objektivin madhor të furnizimit me ujë 24 orë/ditë të popullsisë.
Përfundimisht, Shoqëria UK Tiranë ndodhet përballë një sfide mjaft të rëndësishme për të furnizuar me ujë popullsinë në mënyrë të pandërprerë. Realizimi me sukses i kësaj sfide kërkon angazhim maksimal nga ana e shoqërisë, por është mjaft e rëndësishme që në këtë sfidë, Shoqëria UK Tiranë të ketë mbështetje dhe bashkëpunim nga të gjithë, si për luftën ndaj abuzuesve me ujin dhe për përdorimin sa më racional të kësaj pasurie jetësore.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com