Potencialet që ofron Shqipëria për zhvillimin e investimeve dhe nxitjen e kompanive suedeze për të konsideruar tregun shqiptar ishin në qendër të takimit që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi me Këshillin e Biznesit në Suedi.
Në kuadër të një vizite dy ditore që po zhvillon në Suedi, Bushati u takua me drejtuesit e një prej kompanive më të mëdha suedeze dhe nordike, Apollo, e cila operon edhe në tregun tonë turistik.
Kjo kompani ka nisur aktivitetin turistik tek ne në vitin 2014, në rreth 5 mijë rrjete turistike dhe e mbylli sezonin e kaluar me mbi 40 mijë rrjete të tilla. Sezonin e ardhshëm do të nisin dhe fluturimet direkte nga vendet e Evropës nordike.
Gjatë qëndrimit të tij në Suedi, Bushati do të takohet me homologen suedeze, Margot Wallström. Një tjetër takim i parashikuar në axhendën e Ministrit Bushati është ai me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkimit Evropian dhe Tregtisë, Oscar Stenstrom.
Ai do të takohet gjithashtu me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, Ulrika Modeer si dhe me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Migracionit dhe Drejtësisë, Lars Westbratt. (atsh)