Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn gjatë një interviste për Radion Kombëtare Bullgare, komentoi ambicien e Bullgarisë për ti dhënë më shumë shnanse vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë kohës së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Falënderoj Bullgarinë për samitin e planifikuar gjatë majit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor – kjo do të jetë ngjarja e parë e këtij niveli pas asaj të Selanikut në vitin 2003. Momenti është shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar krijuam premisat – e kam parasysh deklaratën e krerëve të shteteve dhe të qeverive dhe fjalimin e Jean-Claude Juncker për të ardhmen e Bashkimit. Kështu që me rëndësi është të përdorim inercinë e momentit për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ta zhvillojmë atë më tej. Është e qartë se shtetet e ndryshme në Ballkan ndodhen në etapa të ndryshme të përgatitjes së tyre. Duhet ta kemi parasysh përparimin e tyre dhe ta vlerësojmë”, deklaroi ai.
Sipas Johannes Hahn statistika nuk tregon humbje të besimit tek BE-ja ndër qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Si një shembull i mirë për këtë ai përmendi Serbinë, ku besimi në Bashkim është duke u rritur:
“Kjo përkrahje varret nga kjo në çfarë mase shtetet e ndryshme i ndiejnë përparësitë e anëtarësisë në BE. Me fillimin e negociatave me Serbinë investimet e huaja në shtet shënuan një rritje të konsiderueshme. Dhe po flasim jo vetëm për investitorë nga Evropa, por nga tërë bota. Biznesi e ndien në mënyrë të saktë se negociatat përparojnë dhe se perspektivat janë të mira. Epërsia e ligjit është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm. Të gjithë këto janë premisat që pak nga pak krijojnë vende të reja pune dhe që përmirësojnë standardin e jetesës.”
Si rezultat i krizës ekonomike, financiare dhe migratore në Evropë po vëzhgohet një lodhje nga anëtarësimet e reja shtoi për Radion Kombëtare Bullgare Johannes Hahn:
“E dimë këtë dhe mendojmë se politika e zgjerimit duhet të shpjegohet jo vetëm në shtetet-kandidate, por edhe në shtetet e BE-së. Sipas meje bëhet fjalë për këtë a dëshirojmë të eksportojmë siguri dhe stabilitet, apo dëshirojmë të importojmë pasiguri dhe paqëndrueshmëri në BE.”