Me rastin e 27 janarit, ditës së Holokaustit, ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi në Shkodër aktivitetin për promovimin e librit “Jeta ime nën pushtimin nazist”, të Mimi Kamhi Ergas Faraxhi.
Libri memoristik i Skënder Asanit, është përkthyer në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht, dhe flet për kujtimet e një familje hebre, e cila në kohën e luftës është ndihmuar nga një familje shkodrane.
Në muzeun “Marubi” në Shkodër u takua vajza e Mimi Kamhi Ergas Faraxhi, e pagëzuar me emrin Drita me Ahmet Shurdha, përfaqësues i familjes pritëse shkodrane. Në fjalën e saj, Drita Kamhi Ergas Faraxhi nuk i fshehu dot emocionet ndërsa pa Shkodrën, të cilën tha se “e mbante mend si nëpër endrra dhe ishte e lumtur që e gjeti kështu”.
Nga ana e tij, Ahmet Shurdha u shpreh se kur kujtimet janë reale, atëherë ato u sherbejnë brezave. Në fjalën e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati theksoi se gjatë këtyre 5-viteve qe Shqiperia i është bashkuar aktiviteteve në ditën përkujtimore kundër Holokaustit, nuk ka ndjerë asnjëherë më fort emocionin dhe peshën reale të asaj që ka ndodhur. Ministri Bushati tha se nëpërmjet përkujtimit të Holokaustit, nuk tregojmë thjesht respekt për viktimat apo të mbijetuarit, por orientojmë edhe brezin e ri drejt sfidave të së ardhmes.
“Ambasadori përmendi çështjet e antisemitizmit që duket sikur po fitojnë terren nga politikat estremiste që kanë parti të caktuara politike sot në Evropë, por po kaq të rëndësishme janë sfidat që kanë lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, me ideologjitë totalitare dhe keqpërdorimin e besimeve fetare për të arritur objektiva të caktuara politike”, tha ministri.
Për ministrin Bushati është shumë e rëndësishme të vijohet me nismën e përmirësimit të teksteve shkollore, në mënyrë që histori të tilla të tregohen më shumë, duke krijuar një memorje solide të kthyer në program edukimi për brezat e rinj.
Ambasadori i Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin u shpreh se “duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të luftuar intolerancën, kudo dhe sidoqë ajo shfaqet”.
73 vjet më parë, në 27 Janar 1945 u çlirua kampi i përqendrimit të Auschëiz-it duke i dhënë fund një akti tragjik dhe të shëmtuar në historinë botërore: Holokaustit, gjatë të cilit u shfarosën në mënyrë sistematike 6 milionë hebrenj.