Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka dhënë një prononcim të shkurtër për gazetarët në Korçë pas ditës së dytë të takimeve intensive me homologun e tij grek Nikos Kotzias për çështjet e hapura dhe problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Bushati tha se nuk ka asgjë sekrete pasi temat janë të ditura por ai u shpreh optimist duke theksuar se është bërë progres.
“Faleminderit për durimin deri tani. Na mirëkuptoni që këto janë bisedime jo të lehta dhe tematika është e gjerë, e shtrirë në kohë. Janë rreth 70 vite histori. Mund t’ju them vetëm që edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm. Nesër do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekrete sepse temat janë thënë publikisht nga të dyja palët. Thjesht jemi në procesin e shtjellimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj që edhe drejt zgjidhjeve konkrete”, deklaroi ministri Bushati.
Ky prononcim u bë pas vizitës së dy ministrave në Muzeun Mesjetar në Korçë.