November 21, 2024

Vettingu/ flet gjykatësi amerikan: Shumë prokurorë e gjyqtarë shqiptarë do humbasin punën

Gjykatesi John Leonardo është i vetmi amerikan mes këshilltarëve ndërkombëtarë që po punojnë për reformën në drejtësi në Shqipëri. Ai është 71 vjeç dhe ka punuar për 19 vjet si gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Pima të Arizonës, në SHBA. Në vitin 2012 mori detyrën e prokurorit të SHBA për Arizonën dhe punoi si prokuror i lartë federal për 5 vite.

Vitin e kaluar, Leonardo e tërhoq nga detyra dhe doli në pension. Ai tani ndodhet në zyrat e institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare.

Në Tiranë, ai ka dhënë një intervistë për portalin amerikan “Tucson.com”, për të cilën thotë se pritshmëritë nga Shqipëria janë të larta dhe shumë gjyqtarë e prokurorë do të humbasin vendet e punës.

“Ekzistojnë pritshmëri shumë të larta këtu se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendet e punës”, u shpreh gjyqtari amerikan i dalë në pension, që tashmë asiston “drejtësinë” në vendin tonë.

Cili është problemi me sistemin gjyqësor në Shqipëri?

John Leonardo: Eshte prezent nje korrupsion i shfrenuar në shumë fusha, në polici, prokurori, gjyqësor. Ballkani në përgjithësi e ka këtë problem.

Si do të funksionojë procesi?

John Leonardo: Shqiptarët ndryshuan Kushtetutën vitin e kaluar në mënyrë që gjithë gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen procesit të vetingut për të mbajtur vendin e punës. Nga ligji i ri u krijuar një komision verifikimi i përbërë nga 12 juristë shqiptarë të zgjedhur nga Parlamenti, të ndarë në komisione me nga tre persona dhe që do të hetojnë për çdo gjyqtar dhe prokuror pasuritë e pajustifikueshme të tyre, shoqërimin me kontigjentë kriminalë dhe aftësitë profesionale.

Cili është roli juaj si vëzhgues ndërkombëtar ne Shqiperi?

John Leonardo: Ne jemi 8 persona. Të gjithë kemi të paktën 15 vite pune si gjyqtarë dhe prokurorë nëpër vendet tona. Është grup me shumë përvojë. Ne këshillojmë organet e vetingut për çështjet ligjore dhe hetimore.

Nga cilat vende janë këshilltarët e tjerë ndërkombëtarë?

John Leonardo: Dy janë nga Holanda, një nga Italia, Belgjika, Kroacia, Suedia dhe Bullgaria.

Si e keni zgjidhur problemin e gjuhës, pasi ju nuk flisni shqip?

John Leonardo: Kemi një staf përkthyesish. Gjuha zyrtare e këtij procesi është shqipja dhe anglishtja. Fatmirësisht për mua, unë jam i vetmi që anglishtja është gjuha e shtetit tim. Kështu që rishikoj dokumentet zyrtare përpara se të publikohen apo përdoren.

Sa do të zgjasë akoma ky proces?

John Leonardo: Dëgjesat e para me prokurorë dhe gjyqtarë pritet të bëhen në fund të Shkurtit. Supozohet se i gjithë ky proces do të zgjasë 4-5 vjet. Është e vështirë të imagjinohet se si do të jetë kur të fillojnë dëgjesat, pasi do të jetë shumë proces intensiv. Dhomat e dëgjimit janë shumë të vogla, të përshtatura për gjashtë ose shtatë persona.

Çfarë problemesh po shikoni deri tani?

John Leonardo: Nga ajo që shikojmë përgjithësisht në hetimet tona janë gjyqtarët që marrin ryshfet për të hequr akuzat ndaj të tjerëve, lirojnë ta pandehurit që duhet të ekstradohen, shikojmë gjyqtarë që kanë pasuri 5 apo 6 herë më të madhe se sa rroga që fitojnë. Gjyqtarët në këtë vend për 10 vitet e fundit apo më shumë kanë bërë deklarata pasurie të aseteve të tyre, por ne shikojmë se ata pretendojnë që jetojnë në vende modeste, kur në fakt jetojnë vende shumë më luksoze.

Ju kanë mbështetur në punën tuaj?

John Leonardo: Ambasadori amerikan këtu është një përkrahës i madh i këtij procesi. Shqiptarët kanë shumë lidhje me ne dhe besojnë tek ne. Ambasadori Donald Lu tha gjatë një takimi me gjyqtarët që nëse ata kanë në dorë një orë më të shtrenjtë se sa një makinë normale, ndoshta ata nuk do të jenë në detyrë vitin tjetër.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com