Pas vizitës pak kohë më parë në Tiranë dhe takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Aleks Soros djali i multimiliarderit George Soros, prej dy ditësh ka zhvilluar takime në Kosovë.
Ai është pritur nga krerët më të lartë të shtetit kosovar, duke përfshirë dhe presidentin Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ka qenë vetë Aleks ai që ka ndarë fotot nga takimet, po pa sqaruar arsyet e kësaj vizite. Me këto takime Soros konfirmon ndikimin e padiskutueshëm që ka në vendet e Ballkanit.
“Madhështore të mirëpritem në Kosovë nga Presidenti Hashim Thaçi për të biseduar për rrugën e Kosovës drejt njohjeve të mëdha”, ka shkruar djali i George Soros.
Po ashtu në mbyllje Soros ka pasur një takim edhe me njerëz të medias në Kosovë. Soros ka në Shqipëri dhe Kosovë rrjetin e fonacionit për ‘’Shoqërinë e Hapur”.
Ai është i njohur për ndikimin që ka tek kryeministri shqiptar Edi Rama, ku nuk mungojnë as akuzat se ai fshihet edhe pas manipulimit të procesit të Reformës në Drejtësi.