Nga dita e djeshme, asnjë institucion shtetëror nuk do të mund të bëjë më tenderë me negocim. Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi dje të gjithë autoritetet kontraktore se me ndryshimet e fundit të VKM që përcakton rregullat e prokurimit publik, është shfuqizuar parashikimi për përdorimin e procedurës së prokurimit negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, për lidhjen e kontratave shtesë për plotësimin e nevojave të fillim vitit nga autoritetet kontraktore. Nga ana tjetër, APP bën me dije se për plotësimin e nevojave në fillim të vitit (nëse është rasti), autoritetet kontraktore duhet t’i referohen parashikimit të nenit 76 të VKM Nr914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” të ndryshuar. Konkretisht, me ndryshimet e reja është parashikuar që autoritetet kontraktore, për plotësimin e nevojave me mallra dhe shërbime të vazhdueshme, në fillim të çdo viti lejohen të zgjasin afatin e kontratës së fundit të lidhur pas përfundimit të një procedure konkurruese nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate shtesë me të njëjtin kontraktues derisa të kryhen procedurat e prokurimit. Në çdo rast, autoriteti kontraktor duhet të argumentojë në mënyrë të detajuar nevojën për zgjatjen e kontratës. “Kontrata shtesë për mallrat apo shërbimet e vazhdueshme mund të bëhet deri në një vlerë maksimumi 20 % të kontratës së fundit të lidhur pas përfundimit të një procedure konkuruese dhe fondet për këtë kontratë do të përballohen nga fondet e vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor në buxhetin e atij viti. Në çdo rast, edhe pse nuk realizohen me procedurë prokurimi, planifikimi dhe realizimi i këtyre kontratave shtesë, me vlerat përkatëse duhet të pasqyrohen në regjistrat e parashikimeve dhe realizimeve të procedurave të prokurimit publik. Pra, në këtë rast, për plotësimin e këtyre nevojave të fillim vitit, autoriteti kontraktor nuk do të zhvillojë procedurë prokurimi negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, por do të procedojë me mendimin e kontratës fillestare, duke e pasqyruar edhe në regjistrimin e parashikimeve. APP u kujton gjithashtu autoriteteve kontraktore që njëkohësisht me lidhjen e shtesave të kontratave për plotësimin e nevojave në fillim të vitit, duhet të shpallin dhe procedurat konkurruese me qëllim mbulimin e nevojave në vijim.
APP, institucioneve: Shmangni tenderët “në tavolinë”
Agjencia e Prokurimit Publik u ka rekomanduar pak kohë më parë institucioneve që të përdorin sa më shpesh marrëveshjet kuadër në lidhje me shërbimet apo produktet e vazhdimësisë. Kjo do të thotë që institucionet të kenë marrëveshje me sa më shumë operatorë ekonomikë, të cilët funksionojnë brenda një sistemi të mbyllur, por që kjo mundë- son zgjidhjen e emergjencave me kosto më të ulët. Në rastet kur ka nevojë për blerje emergjente, institucionet preferojnë procedurat e negocimit pa shpallje paraprake, pra institucioni zgjedh operatorin që i intereson dhe negocion në tavolinë për çmimin. Marrëveshja kuadër, nga ana tjetër, bën që në garë të jenë dy ose më shumë operatorë me të cilët mund të negociohet, duke rritur kështu konkurrencën. APP theksonte në një njoftim të para dy muajve se në mënyrë kategorike nuk duhet të përdoret procedura e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës nga autoritetet kontraktore për mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme, të cilat duhet të fillohen menjëherë me procedurat e prokurimit për të lidhur marrëveshje kuadër.