November 23, 2024

Bie besimi në ekonomi, bizneset dhe qytetarët ankesa në sektorin e ndërtimit, tregtisë dhe industrisë

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë nënvizon se tek industria, treguesi i besimit ra me 2.5 për qind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017. Ecuria e TBI reflektoi rënien e dy prej balancave formuese të tij: kontratave porositëse, me 6.4 pikë përqindje, dhe prodhimit, me 1.9 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBI, gjendja e inventarëve, rezultoi lehtësisht më e përmirësuar.

 

Ndërtimi në rënie

Treguesi i besimit në ndërtim që prej tre tremujorëve njeh vetëm rritje, në 3 mujorin e fundit shënoi një pikë kthese me një rënie prej 12.4 për qind në tremujorin e fundit të 2017. BSH vlerëson se kjo rënie e zhvendosi TBN rreth 5.3 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Të dy komponentët formues të treguesit shënuan rënie, përkatësisht me 14.8 pikë përqindje aktiviteti ndërtues dhe me 10.0 pikë përqindje kontratat porositëse. Midis balancave të tjera, edhe balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm rezultoi e përkeqësuar. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59.0%. Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren historike të saj

Shërbimet në rritje

BSH bën me dije në vrojtimin e saj se treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 2.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. TBSH rezulton rreth 12.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSH u përcaktua nga rritja me 5.3 pikë përqindje e balancës së ecurisë së biznesit. Në të kundërt, komponenti tjetër formues i treguesit, balanca e kërkesës, shënoi rënie të lehtë me 0.3 pikë përqindje. Midis balancave të tjera të vrojtimit të cilat shënuan rritje ishin gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm shënoi rënie. Edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 3.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar rreth 70.0%. Kjo normë mbetet si nën nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë, ashtu edhe nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve.

Besimi në tregti

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 9.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke u zhvendosur me rreth 1.5 pikë përqindje nën mesataren historike të ti. Niveli më i ulët i treguesit u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit (-14.8 pikë përqindje), dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-4.9 pikëpërqindje). Balanca e gjendjes financiare vlerësohet gjithashtu me rënie. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë për të tretin tremujor radhazi, duke qëndruar në 67.1%. Dinamika gjatë tremujorit e zhvendos normën e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti rreth 9.6 pikë përqindje nën mesataren historike të saj dhe rreth 3.1 pikë përqindje nën nivelin e tremujorit të katërt të një viti më parë. Tendenca më të përmirësuara shfaqin balancat e punësimit dhe të pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.

Bie besimi tek konsumatorët

Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, duke ndërprerë rritjen e dy tremujorëve të mëparshëm. Treguesi vazhdon të qëndrojë rreth 3.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Dinamika e TBK u përcaktua nga rënia e tre prej balancave përbërëse të tij: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend (-3.2 pikë përqindje), situata financiare e pritur e familjes (-2.7 pikë përqindje) dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve (-2.2 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër formuese e TBK – blerjet e mëdha – shënoi rritje me 5.2 pikë përqindje, duke e ndikuar treguesin në kahun rritës.

Facebook Comments

MineralHygienics.com