Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një bashkëbisedim me gazetarët, ku është ndalur në zhvillimet kryesore të vitit 2017. Sipas Kryemadhit, 2017 ishte një vit i vështirë për politikën shqiptare dhe jo vetëm
Ajo është ndalur tek zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, si dhe tek votimi i reformave kyçe për vendin.
Sipas Kryemadhit, viti që sapo ka filluar 2018, do të jetë një vit i vështirë për qytetarët shqiptarë, të cilët sipas saj pritet të përballen me një situatë të vështirë ekonomike.
“2018 do të jetë një vit i vështirë jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për ekonominë e vendit. 2017 ishte viti i zgjedhjeve kriminale, që njollosën politikën shqiptare, blenë votat me paratë e krimit. Ishte viti i kanabizimit të vendit. Ekonomia shqiptare është me bazë konsumi ku mungojnë investimet e huaja, kjo vjen si rezultat i keqqeverisjes.
Është thelluar papunësia, dhe mungojnë investimet e huaja. Edhe investimet vendase janë më të ulëtat në këto vite. Këtë e fakton mungesa e likuiditeteve. Drejtoria e Thesarit është mbyllur që më 15 dhjetor, gjë që tregon se nuk kreu asnjë likuidim me shoqëritë. Me skemën e re tatimore pritet rritje e çmimeve, pra buxhetet familjare do të hyjnë në një krizë.
Qeveria tashmë është e paaftë për të thithur investime të huaja. Të gjitha të dhënat e publikuara nga institucionet prestigjeve e bëjnë të qartë se hapja e negociatave me BE nuk mund të realizohet nëse ne nuk kemi familje të afta për të mbijetuar”, u shpreh Kryemadhi.