November 23, 2024

EUROSTAT: Shqiperia me konsumin më të ulët në Europë

Harta për sa i përket konsumit dhe të ardhurave për frymë tregon mjaft qartë ndarjen e Europës në dy fusha kryesore: Gadishulli Iberik me gjithë pjesën qendrore lindore të kontinentit janë ndër rajonet ku konsumohet më pak sesa mesatarja evropiane, ndërsa Evropa Qendrore Perëndimore me Britaninë e Madhe dhe vendet e Veriut janë mbi vlerën mesatare. Il Sole 24 Ore ka publikuar hartën e të ardhurave për frymë dhe konsumit, duke iu referuar të dhënave të Eurostat.

 Renditja e konsumit kryesohet nga Norvegjia (133% e mesatares europiane), e ndjekur nga Luksemburg (132) dhe Zvicra (128),  siç shihet nga ngyra më e thellë e gjelbër në hartë. Diametralisht të kundërta, të treguara me ngjyrë të ndritshme të kuqe, ju mund të gjeni të gjitha vendet e gadishullit Ballkanik me nivelin më të ulët që e ka Shqipëria (37% e mesatares europiane), pak e distancuar nga Maqedonia dhe Bosnja (nivel mbi 41%).

 

Për vitin 2016, të ardhurat për frymë të shqiptareve ishin sa 29% e mesatares së BE, nga 30% që ishin në 2014-n. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Edhe Serbia, pas rënies relative në 2015, ka rikuperuar treguesin në 37% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së. Të dhënat janë publikuar më herët nga Monitor.

Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane. E parafundit renditet Bosnja, me tre pikë për qind më shumë se Shqipëria, ku të ardhurat për frymë në 2016-n shënuan sa 32 për qind e mesatares së BE-së. Të gjithë vendet e rajonit  e kanë përmirësuar treguesin e të ardhurave për frymë.

Mali i Zi është vendi që ka pasur përmirësimin më të lartë në rajon, nga 41 për qind në 201-n, të ardhurat për frymë i janë afruar mesatares së BE-së me katër pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë.

Përpos të ardhurave për frymë, ka rënë edhe treguesi i Konsumit Aktual Individual.

Konsumin Aktual Individual është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues në Shqipëri është më i ulët jo vetëm ndër vendet e BE-së, por edhe në rajon.  Në 2015-n ishte sa 38 për qind e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa në 2016-n sa 37 për qind, duke pësuar rënie me një pikë përqindje.

Nivelin më të larte të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares se BE-se (dyfish më shume se Shqipëria). më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kane të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit aktual Individual më 41 për qind.

Vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e Konsumit Aktual Individual, dhe ritmin më të lartë të përmirësimit edhe për këtë tregues e ka Mali i Zi, me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë. Treguesi për Serbinë dhe Bosnjen ka qenë konstant nga 2014-2016-n. Ndërsa Maqedonia ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm një për qind.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com