December 23, 2024

Ja ceku i bebeve te lindura ne oret e para te mengjesit te 2018-es

Tirana është bekuar që në orët e para të 2018-ës me 20 fëmijë të porsalindur. Laeli dhe Nadja janë dy fëmijët e parë që erdhën në jetë që në minutat e para pas mesnate. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot spitalet universitare Obstetriko-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, për t’iu dhënë çekun e bebes prindërve të fëmijëve.

Veliaj u shpreh i lumtur që viti i ri erdhi në mënyrën më të mirë për kryeqytetin, ndërsa theksoi se ardhja në jetë e 20 fëmijëve që në orët e para është një bekim për Tiranën. “Më vjen mirë që kemi pasur Laelin djalin e parë, Nadjan vajzën e parë, duke filluar që nga minuta e parë e këtij viti. E kemi nisur mbarë me dy qytetarë të rinj, që besoj do e  bëjnë Tiranën më të mirë. Më jep shumë shpresë  fakti që pothuajse pa shkuar mesi i ditës në dy maternitetet e Tiranës kemi në total rreth 20 bebushë të rinj dhe them që një qytet që vazhdon dhe rritet është një qytet që ka shpresë. Më e mira për Tiranën dhe për Shqipërinë është përpara”, tha kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre punonjësve që natën e ndërrimit të viteve kanë qenë në detyrë, në shërbim të qytetarëve. “Jam shumë mirënjohës në këtë ditë të parë të vitit për të gjitha uniformat, bluzat e bardha, uniformat e policisë, të gjithë ata që e kanë gdhirë natën duke pastruar. Qyteti sot është më i pastër, më optimist, më entuziast, por mbi të gjitha prej bebushave që i janë shtuar Tiranës. Detyra jonë është që derisa të rriten, të sigurohemi që të jemi në krye të detyrës, dikush si kryetar bashkie, dikush si drejtor spitali, dikush si mjek, si infermier. Nëse secili bën detyrën e vet, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona”, nënvizoi Veliaj. 

Ndërkaq, darkën e fundvitit kryebashkiaku zgjodhi ta kalonte me punonjësit e turnit të Policisë Bashkiake, të cilët, pavarësisht festave, janë gjithmonë në gatishmëri dhe në shërbim të qytetarëve, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve. Veliaj u shprehu mirënjohjen efektivëve të Policisë Bashkiake dhe të gjithë shërbimeve të tjera, të cilët në këto ditë festash janë në punë. “Një mirënjohje të veçantë për të gjithë kolegët e Policisë Bashkiake, kolegët e zjarrfikëseve, për kolegët që do të pastrojnë gjatë gjithë natës, edhe për kolegët e policisë së shtetit dhe për gjithë ata që janë në krye të detyrës. Unë besoj se ky qytet ka treguar se kur secili bën detyrën me rigorozitet dhe shërben duke dhënë maksimumin për komunitetin, atëherë, prodhon një qytet shumë herë më solidar dhe më funksional. Kështu që, për Tiranën që duam, një 2018 sa më të suksesshëm dhe faleminderit gjithë djemve dhe të vajzave me uniformë të Bashkisë apo të Shtetit”, deklaroi ai.

Sikurse është bërë traditë, ardhjen e Vitit të Ri 2018, kryebashkiaku Veliaj i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij, e priti në sheshin “Skënderbej”, së bashku me qytetarët e shumtë të ardhur edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët ndoqën koncertin e madh festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Teksa akrepat e Sahatit të Tiranës shënuan ndërrimin e viteve, qielli u ndez nga fishekzjarrët, ndërsa magjisë së festës iu bashkuan për orë me radhë këngëtarët më të mirë të skenës, Elhaida Dani, Tiri & Band, Kastro Zizo, Beatrix Ramosaj, Elgit Doda dhe Ronela Hajati.

Veliaj uroi shqiptarët për një vit plot me optimizëm dhe suksese, ndërsa siguroi se 2018-ta do të jetë një vit plot me punë për qytetin.

Facebook Comments

MineralHygienics.com