December 27, 2024

Të huajt që shesin, investojnë dhe punësojnë më shumë në Shqipëri

Në vitin 2016, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16 % të punësimit gjithsej nga 17,7 % në vitin 2015,raporton INSTAT.

Shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta përbëjnë 22,7 % të shitjeve neto të ndërmarrjeve rezidente në vitin 2016, ndërsa gjatë vitit të kaluar ky tregues ishte 24,6 %.

 Përqindja e investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta është 46,9 % e investimeve gjithsej të vitit 2016, ndërsa në vitin 2015 ishte 42 %.

Në vendet e BE-së, gjatë vitit 2016, Italia (49,6 % e punësimit dhe 25,2 % e shitjeve neto) dhe Greqia (10,9 % e punësimit dhe 13,2 % e shitjeve neto) janë dy shtetet me pjesën më të madhe të punësimit dhe shitjeve neto. Turqia mbulon 10,4 % të punësimit dhe 12,5 % të shitjeve neto dhe ka ndikimin më të madh në grupin e vendeve të tjera. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbulon 2,9 % të punësimit dhe 2,9 % të shitjeve neto.

Grupi i vendeve të tjera investuan 65,4 % të totalit të investimeve të kryera nga ndërmarrjet e huaja në vitin 2016. Pjesa më e madhe është investuar nga Zvicra (42,4 %), si rrjedhojë e investimeve që po bëhen nga TAP, ku është dhe selia e gazsjellësit. Për vendet e BE-së, Austria (14,8 %) dhe Italia (9,9 %) dominojnë në vlerën e investimeve të bëra gjatë vitit 2016, ndërsa për vendet e Ballkanit Perëndimor është Kosova (1,5 %).

Vendet e BE-së kanë pjesën më të madhe të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta; në vitin 2016 këto vende zënë 74,6 % të punësimit, ndërsa në vitin 2015 ky tregues ishte 75,9 %.

Përsa i përket shitjeve neto, situata duket e ngjashme me atë të punësimit. Vendet e BE-së kanë pjesën më të madhe të shitjeve neto në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta me 60,9 % gjatë vitit 2016, nga 60,0 % në 2015.

Për treguesin e punësimit, përqindja më e lartë e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët është në sektorin e Industrisë Përpunuese me 38,1 %, gjatë vitit 2016, e cila tregon një rritje prej 3,4 % krahasuar me vitin 2015.

Përsa i përket shitjeve neto, gjatë vitit 2016, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët është në sektorin e Tregtisë (22,3 %) duke u ulur me 1,9 % krahasuar me 2015 dhe në sektorin e Industrisë përpunuese (19 %) duke u rritur me 0,1 %.

Gjatë dy viteve të fundit, pjesa më e madhe e investimeve është realizuar në sektorin e Energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve respektivisht me 58,3 % në vitin 2016 dhe 32,9 % në 2015, raporton INSTAT.

Facebook Comments

MineralHygienics.com