December 23, 2024

Deputetja e LSI letër të guximshme ambasadorëve

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj u ka dërguar një letër ambasadorëve në vend lidhur me protestën e një ditë më parë.

LETRA E PLOTE:

 Letra dërguar sot Ambasadorëve LU dhe VLAHUTIN.

Të nderuar Ambasadorë,

Unë jam Kejdi Mehmetaj, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mandatin tim të dytë.

I lexova me shumë vëmendje deklaratat tuaja dhe po ashtu si Ju edhe unë e dënoj maksimalisht dhunën që u ushtrua ditën e djeshme në Parlament dhe në rrugë.

Fatkeqsisht unë nuk e gjeta veten në deklaratat tuaja, përkundrazi u ndjeva e dhunuar edhe nga ju.

Në të drejtën time, si deputete që me bindje kam votuar për ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 korrikut në vitin 2016, ndjeva përgjegjësinë të protestoj dhe kundërshtoj që Kushtetuta e vendit tim të cënohet nga një Kryeministër i cili mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe se ligjet e këtij vendi mund ti shkelë me këmbë.

Unë jam bërë deputete kur isha vetëm 20 vjeç dhe kauza ime ishte dhe është të luftoj për ëndrrat e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët çdo ditë e më shumë po marrin rrugët e emigrimit. Ata po largohen nga Shqipëria sepse shkollat i ka marrë peng qeveria, sepse vendi po varfërohet dhe punë për ta nuk ka, sepse detyrohen të kthehen në punonjës të plantacioneve të hashashit dhe si pagë të marrin kokainë, sepse policia nuk mbron qytetarët por kriminelët, sepse urgjencat e spitaleve prishen rrugës si pasojë e konçesioneve korruptive në shëndetësi, sepse taksat tona Kryeministri i përdor për të pasuruar veten nëpërmjet tenderave dhe PPP-ve dhe sepse ish ministri I brendshëm Saimir Tahiri edhe pse bashkëpunëtor I Habilajve është sot I lirë.

Që në moshën 14-vjeçare unë kam luftuar për të drejtat e mia dhe të të rinjve shqpitarë, duke besuar se do t’ia dalim një ditë të kemi një shtet në standartet e atyre që Ju përfaqësoni. Si mundet unë të hesht tani që qytetarët më kanë votuar të jem zëri i tyre në parlament. Si mund të pranoj unë të më hiqet e drejta e fjalës. Si mundet unë të mos reagoj kur shkelet me dashje dhe për qëllime kriminale Kushtetuta e vendit tim.

Ju më drejtoheni edhe mua, si pjesë e opozitës, për dhunën në sallën e parlamentit. Por a u njohët Ju zotërinj Ambasadorë me fjalorin e padenjë dhe fyes me të cilin mu drejtua mua dhe kolegeve të mia Ministri Ditmir Bushati?

A e dini Ju se deputetja 23-vjeçare Floida Kërpaçi u tërhoq zvarrë dhe u gjakos nga Policia e Shtetit sepse tentoi ti jepte ndihmën e parë një nëne, të cilës po Policia i kishte goditur krahun me sende të forta?

E dini Ju se deputeti Bujar Çela ka ushtruar ndaj meje dhunë fizike dhe verbale në parlament, duke përdorur fjalor të rëndë fyes dhe duke më goditur në fytyrë?

A e dini Ju se me urdhër të kryeministrit Rama, efektivat e Policisë kanë shoqëruar ditën e djeshme rreth orës 15:00, 8 vajza të reja në komisariatin e Rinasit, sepse mbanin në duar një parrullë ku shkruhej: “Rama ik dhe mos u kthe”? Me prova filmike vërtetohet se vet Shefi i Komisariatit ka dhunuar fizikisht dhe ka ofenduar rëndë vajzat. Pasi e pyeta personalisht Shefin e Komisariatit për arsyen e shoqërimit të vajzave, përgjigja ishte: “Sepse më dha urdhër Kryeministri Rama”. Dhe pasi po të njejtin Shef Komisariati e pyeta nëse kishte fëmijë dhe a do ndihej mirë nëse fëmijët e tij do trajtoheshin në atë formë, më tha se do i mësonte fëmijët e tij të mos flisnin dhe të mos protestonin.

Të nderuar ambasadorë,

Unë kam lindur në vitin 1993 me gëzimin e prindërve të mi që do jetoja në një shtet demokratik, ku njeriu gëzon të drejtën e fjalës së lirë dhe veprimit të lirë dhe asnjëherë nuk do lejoj që një Kryeministër arrogant dhe i pangopur ta kthejë sërish Shqipërinë në kohën e diktaturës.

Të nderuar ambasadorë,

Ju më keni akuzuar se edhe unë kam frikë nga reforma në drejtësi. Ju sfidoj të gjeni në gjithë jetën time qoftë edhe më të voglën shkelje të ligjit apo arsye për të patur frikë. E vetmja gjë që do të gjeni është se si më është dashur të përballem me kriminelët e Edi Ramës në parlament dhe në fushatat elektorale.

Të nderuar ambasadorë,

Me deklaratat tuaja, Ju jeni po aq përgjegjës për dhunën që është ushtruar ndaj meje dhe kolegeve të mia, sepse Ju në asnjë rast nuk folët për ne, në asnjë rast nuk mbrojtët të drejtat tona.

Jam e sigurtë se në vendet tuaja, nese qeveria do të shkelte Kushtetutën, miliona banorë do të dilnin në rrugë e do të protestonin deri në rrëzimin e qeverisë. Ju nuk mund të na kërkoni që ne të bëjmë të kundërtën.

Ju siguroj se ne, 10 vajzat që dje u dhunuam se mbrojtëm Kushtetutën, nuk do të ndalemi në asnjë moment dhe për asnjë arsye. Ne do përpiqemi të tregojmë lidershpit të vërtetë dhe do mundohemi të udhëheqim çdo të ri dhe të re që ende ka ëndrra për Shqipërinë dhe nuk e pranon këtë situatë nëpër të cilën po kalon vendi.

Ju presim të na bashkoheni edhe Ju në protestën e rradhës, nëse vërtet e doni Shqipërinë!

Për sa kam shkruar më sipër gjeni pamje filmike vërtetuese.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com