Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kanë diskutuar përmes telefonit rreth programit bërthamor të Koresë Veriore.
Trump e ka falënderuar Putinin për fjalët e mira që i ka thënë për menaxhimin e ekonomisë amerikane.
Të dy kane diskutuar “situatën në disa zona që po përballen me kriza, zgjidhja e problemit në Gadishullin Korean”, ka thënë Kremlini përmes një deklarate, duke shtuar se Trump ishte ai që ka iniciuar telefonatën.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se të dy liderët “kanë diskutuar nëse duhet punuar së bashku për të zgjidhur situatën shumë serioze në Korenë Veriore”.
Mirëpo, Shtëpia e Bardhë ka përmendur falënderimet e Trumpit ndaj Putinit për mbrojtjen që i ka dhënë gjatë konferencës së tij vjetore.
“Presidenti Trump e ka falënderuar presidentin Putin për njohjen e zhvillimeve të fuqishme ekonomike të Amerikës”, është thënë në deklaratë.
Putin ka cituar rritjen e shpejtë në tregjet amerikane, prej kur Trump mori udhëheqjen e shtetit gjatë muajit janar.
Por Putini nga ana tjeter ka kritikuar hetimet amerikane lidhur me supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, duke akuzuar kundërshtarët e Trumpit për “mungesë të respektit ndaj votuesve që kanë mbështetur atë”.
Gjatë fushatës, Trump e ka cilesuar Putinin shembull të një “lideri të fuqishëm”.
Me këtë telefonatë janë dhënë shenja se Uashingtoni dhe Moska po bëjnë përpjekje të mëdha për të nisur negociatat me Phenianin rreth programit bërthamor dhe atij të raketave balistike ndërkontinentale.