Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë knjoftoi diten e sotme se ka miratuar të mërkurën tematikën e kartëmonedhës së re me vlerë 10 mijë lekë të reja.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, thuhet se Këshilli miratoi që kjo kartëmonedhë të mbajë figurën e poetit Asdreni, kombinuar me simbolet e flamurit, si dhe një varg të Himnit Kombëtar.
“Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10 000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT “ Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim” “, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Krahas kësaj, Këshilli Mbikëqyrës miratoi tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.