Me rastin e 73 – vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka nderoi me medaljen e mirënjohjes katër efektivë, të cilët kanë dhënë kontribut në shpëtimin e jetëve njerëzore brenda dhe jashtë vendit. Në aktivitetin e zhvilluar me ushtarakë të Forcave të Armatosura dhe veteranë në garnizonin “Skënderbej”, mori pjesë edhe kryeministri, Edi Rama.
“Do të nderoj ata që shkojnë të parët në vatrat e zjarrit apo në shtëpitë e përmbytura nga ujërat e shirave të rrëmbyeshëm. Janë profesionistët e thjeshtë, heronjtë pa emër që gjenden të parët aty ku një jetë njerëzore është në rrezik, ku duhet ngritur një urë apo ku refugjatët në ujërat ndërkombëtare duan ndihmë. Do ta nis me rreshterin e Forcës Ajrore Sajmir Balla, ky djalë që një vit më parë shpëtoi një fëmijë të sapolindur në Zenisht të Burrelit, në kushte atmosferike shumë të rënda. Ndërtimi i rrugëve dhe i urave nga batalioni i xheniove, shkatërrimi i masivëve shkëmbore janë punë të mundimshme, në kushte të vështira, që i paraprijnë pasojave që mund të sjelli izolimi, moti i keq apo emergjencat e shkaktuara prej tij, Fatjon Lulja që merr medaljen e mirënjohjes sot është një prej qindra djemve që punojnë në të ftohtin, dimrin e zhegun e verës për të bërë më të lehtë jetën e qytetarëve. Evakuimi i banorëve në raste emergjencash është një prej detyrave me shumë përgjegjësi në radhët e FA-ve. E në morinë e historive në raste përmbytjesh, dua të kujtoj atë të fillimit të këtij vitit, ku mbi 30 familje në Urën Vajgurore u rrezikuan nga rrjedha e tërbuar e ujit. Babai i dy fëmijëve, rreshteri Ervin Todo ka hyrë në banesat thuajse nën ujë për të evakuuar fëmijë, burra e gra, ashtu siç bëri verën e këtij viti gjatë operacioneve kundër zjarreve. Janë rreth 1 mijë jetë njerëzish të shpëtuar nga efektivët tanë në ujërat ndërkombëtare. Pak ditë më parë është kthyer në shtëpi anija “Oriku”, e cila prej një viti, me 6 ekuipazhet e saj kontribuoi dhe u vlerësua maksimalisht nga NATO për angazhimin në operacionin e kërkim – shpëtimit në detin Egje. I gjithë ekuipazhi i “Orikut” meriton të dekorohen sot. Por besoj në emër të tyre, këtë medalje duhet ta mbajë sot Esmeralda Murati, nëna e dy fëmijëve, infermierja e cila bashkë me mjeken Aurela Bala kanë qenë vajzat e para që kërkuan të jenë pjesë e misionit tonë në detin Egje, dhe anijes “Oriku” si shpëtimtarja e madhe e jetës që nuk njeh kombësi.”- tha Ministrja e Mbrojtjes.
Githashtu gjatë fjalës së saj ministja Xhaçka shprehu falenderimin e saj për veteranët dhe përfaqësuesit e organizatave të tyre, të cilët me gjakun dhe sakrificën e mijëra bashkëluftëtarëve bënë të mundur lindjen e një Shqipërie të lirë e të pavarur, fituese të luftës.
“Qëndresa dhe vlera e tyre epike meriton të shenjohet në ndërgjegjen tonë kombëtare e unë gjykoj se kjo datë e shënuar duhet të shërbejë për të kujtuar jo vetëm heronjtë e luftës, por për të reflektuar mbi sakrificen e gjithkujt që i shërben atdheut me vetëmohim, jo vetëm në kohe luftë por edhe në kohë paqeje”, u shpreh Xhaçka.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri i vendit z. Edi Rama, i cili pasi përshëndeti FA-të dhe vetranët ndaloi në një nga objektivat që pritet të realizohet në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Katriot Skënderbeut.
“Një mision i posaçëm “Rini-Talent-Mundësi-Dinjitet” do t’i mirëbesohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë dhe Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe me asistencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të lançuar gjatë Vitit Mbarëkombëtar, një program fakultativ të pagëzuar si “Flatrat Kuq e Zi – R’& B’ Ëings”, për sigurimin e një formimi etik dhe ushtarak në formën e një shërbimi të kontraktualizuar, në adresë të të rinjve pa orientim të qartë arsimor apo profesional”-tha kryeministri Rama.
Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti u shfaq edhe një dokumentar i realizuar nga Ministria e Mbrojtjes, ku tregohej puna e Forcave të Armtosura ndër vite.