December 23, 2024

Tryezë me donatorët për reformën në sektorin e ujit të pijshëm

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri gjatë takimit me donatorët për reformën e ujit:

Më lejoni që së pari t’ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë takim, si dhe për asistencën e vazhdueshme që keni dhënë e vazhdoni të jepni për formësimin e qëndrueshëm të një sektori jetik, siç është sektori i furnizimit me ujë të pijshëm, largimit e përpunimit të ujrave të ndotur.

Bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me partnerët zhvillimor, në këtë sektor është i hershëm, i qendrueshëm dhe në jo pak raste ka shënuar histori suksesi, si përsa i përket investimeve kapitale, ashtu edhe përsa i përket asistencës teknike.

Jam i bindur që ky bashëkupunim do të jetë edhe më frytdhënës në vazhdim dhe mbi të gjitha i orientuar drejt arrijtjes së objektiva sfidues që Qeveria shqiptare ka vendosur në kuadër të reformimit rrënjësor të këtij sektori.

Më lejoni që në fjalën time të ndalem në një përshkrim të situatës aktuale të sektorit dhe në pjesën e dytë të saj të parashtrojë sfidat e menjëhershme që kemi përpara, si dhe prioritetet dhe masat konkrete për realizmin e reformës, si dhe nevojën për bashkëpunim e mbështetje nga ana juaj.

Pësa i përket situatës aktuale, vlen të theksohet se tashmë, edhe si rrjedhojë dhe në zbatim të reformës territorial administrative, kemi 61 njësi administrative, nga 300 të tilla, që janë riorganizuar dhe ofrojnë shërbimin nëpërmjet 58 shoqërive aksionere të ujësjellës kanalizimeve.

Pavarësisht nivelit të investimeve ndër vite, vazhdon të jetë problematikë e theksuar niveli i lartë i ujit pa të ardhura rreth 67 %, si dhe kohëzgjatja e furnizimit me ujë, e cila ka mbetur pothuaj e pandryshuar (rreth 12 orë/ditë).

Shqipëria ka një kapacitet burimesh më shumë se dy herë më të lartë se nevoja për të furnizuar me ujë të pijshëm, 24 orë në ditë të gjithë popullatën, si dhe aktualisht prodhon 20 % më shumë ujë sesa kjo nevojë.

Në 3 litra ujë që prodhohet, vetëm 1 prej tyre faturohet, duke sjellë kështu një shpërdorim të burimeve natyrore si dhe një konsum të panevojshëm edhe të energjisë elektrike, pasi 60 % e ujit prodhohet me ngritje mekanike.

Është mëse e qartë, që me një nivel humbjesh të tillë, është e pamundur të flasim për shoqëri të qëndrueshme, të mirëmenaxhuara dhe të afta për të ofruar shërbim të qëndrueshëm e cilësor për qytetarët.

Duke qenë se nga praktika dhe studimet botërore është vlerësuar se gjysma e humbjeve vijnë mirfilli për shkaqe menaxheriale, ky fakt na bën jo vetëm të ndërgjegjshëm për cfarë nuk ka funksionuar deri tani, por edhe optimist, pasi një menaxhim optimal i sektorit do të garantonte një nivel humbjesh të konsiderueshëm dhe si pasojë një mundësi investimesh potencialisht dukshëm, më të lartë në sektor.

Jemi të ndërgjegjshëm se reforma nuk është një ngjarje, por është një proçes. Po ashtu jemi të ndërgjegjshëm që paralelisht me reformën është e nevojshme ndërmarrja e një aksioni me koordinimin dhe bashkëpunimin e aktorëve të sektorit, në mënyrë që të kthehemi në situatë formalizimi dhe menaxhimi optimal, sa më parë.

Në mbështetje të sa më sipër, e mbi të gjitha për të arritur dhënien e një shërbimi cilësor të gjithë qytetarëve, është ndërmarrë paralelisht me reformimin e sektorit edhe aksioni, i cili ndahet në dy faza kryesore.

Faza e parë është faza 90 ditore, e cila përfundon në 1 Shkurt 2018, gjatë së cilës janë ftuar dhe më lejoni të gjej rastin për të ftuar sërisht qytetarët, të bëjnë vetëdeklarimin e lidhje të paligjshme, të cilat, nëse nuk dëmtojnë funksionalitetin e rrjetit do të formalizohen duke u pajisur me kontratat dhe matësat përkatës, si dhe faza e dytë, gjatë së cilës synohet formalizimi i të gjithë sektorit në përputhje dhe në zbatim të mekanizmave ligjorë në fuqi.

Objektivi kryesor është që brenda vitit 2018, çdo konsumator të jetë i pajisur me një kontratë dhe matës, të paguajë rregullisht detyrimet dhe të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e ujit të pijshëm.

Qeveria qendrore do të jetë mbështetësja, nxitësja dhe monitoruesja e përpjekjeve për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e ujit të pijshëm. Ky do të jetë një aksion kombëtar që do të përfshijë dhe angazhojë pothuajse të gjithë institucionet qendrore dhe vendore, duke qenë se është shumëdimensional. Gjithashtu, pjesë shumë e rëndësishme e këtij aksioni është përfshirja e plotë e qytetarëve, shoqërisë civile, sikurse dhe e partnerëve zhvillimor.

Referuar reformës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka tashmë një strategji të qartë dhe një plan masash konkrete ndërhyrjesh.

Është nisur tashmë puna për rishikimin e startegjisë së sektorit, e cila përfundon brenda këtij viti, shtyllat e të cilit do të mbështeten në 4 parime kryesore:

  1. Orientim i sektorit drejt performances;
  2. Ndarje e qartë institucionale dhe e përgjegjësive të aktorëve të sektorit;
  3. Krijimi i shoqërive të qendrueshme  dhe që rikuperojnë kostot;
  4. Forcim dhe zhvillim i kapaciteteve njerëzore si dhe ofrimi i shërbimit të merituar qytetarëve.

Përsa i përket orientimit të sektorit drejt performancës, hapat që po ndërmerren do të sigurojnë një ndryshim rrënjësor, së pari të mëndësisë.

Brenda vitit do të nënshkruhen kontratat e performancës, të cilat do të negociohen rast pas rasti me secilën bashki. Subvencioni i shpërndarë deri tani, me fokus mbulimin e diferencës së kostove të shoqërisë, do të orientohet drejt shoqërive që do të performojnë dhe që do të arrijnë treguesit e negociuar. Nuk do të subvencionohen shoqëritë të cilat nuk do të arrijnë përmbushjen e kritereve të vendosura në këto kontrata.

Është duke u përgatitur kuadri ligjor që mundëson marrjen në administrim të përkohshëm të shoqërive që nuk performojnë sipas objektivave të vendosura, pavarësisht incentivave të dhëna.

Qeveria Shqiptare ka angazhimin maksimal për të mundësuar ofrimin e këtij shërbimi shtresave në nevojë. Në këtë kuadër, është marrë angazhimi që të subvencionohet nga qeverisja qendrore, minimumi i nevojshëm për këto shtresa, duke mundësuar kështu ofrimin e këtij shërbimi jetik për qytetarët, por edhe duke hequr tashmë çdo justifikim për kryetarët e bashkive, drejtuesit e shoqërive dhe qytetarët për mosformalizimin e këtij sektori.

Përsa i përket metodologjisë së programimit të investimeve, që prej vitit të ardhshëm buxhetor investimet do të shpërndahen mbështetur së pari, duke u bazuar në prioritetet dhe metodologjinë e përcaktuar në Masterplan, kombinuar kjo edhe me vlerësimin e performancës për secilën shoqëri.

Përsa i përket përgjegjësive që çdo institucion do të ketë, brenda vitit tjetër do të miratohet ligji kuadër i sektorit, i cili do të përcaktojë përgjegjësitë dhe detyrat për secilin aktor, duke shmangur mbivendosjet. Por, përgjegjësia kryesore për ofrimin e shërbimit është dhe do të vazhdojë të jetë e kryetarit të bashkisë.

Në respekt të plotë të parimit të decentralizimit, qeveria qendrore do të mbështesë e nxisë përmes strukturave të saj ligjzbatuese, çdo ndërhyrje në terren të bashkive dhe shoqërive respektive të ujësjellësave. Do të ofrohet mbështetje e konsulencë teknike, përmirësim i kuadrit ligjor dhe nxitje e qytetarëve për kryerjen e pagesave.

Paralelisht, po punohet për ndërtimin e sistemeve teknologjike për një zgjidhje të qëndrueshme, sistem i unifikuar informacioni GIS, si dhe të një sistemi për lehtësimin e proçedurës së pagesës.

Përsa i përket krijimit të shoqërive të qendrueshme dhe që rikuperojnë kostot, qeveria do të nxisë përdorimin e strategjisë së financimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, si një instrument për të kuptuar nevojat për financim, si në nivel kombëtar, ashtu edhe për secilën bashki, si dhe do të kërkojë që brenda vitit të ardhshëm secila shoqëri të ketë biznesplanin përkatës 5 vjeçar, i cili do të udhëheqë punën e tyre.

Një element i rëndësishëm i reformës është edhe forcimi dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të sektorit. Është duke u përfunduar institucionalizimi i një sistemi kombëtar trajnimi dhe çertifikimi i stafeve drejtuese, teknike e operacionale të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve, i cili do të garantojë ruajtjen e kapaciteteve njerëzore në sektor si dhe kualifikimin e vazhdueshëm të tyre.

Problemi i menaxhimit të ujësjellësave mbi të gjitha është një problem menaxharial dhe njerëzor kjo është domethënëse, sepse ndodh që në vende të ndryshme të Shqipërisë, në kushte të njëjta, madje edhe me vështirësi teknike shpesh drejtimi profesional ka bërë dieferencën dhe këto janë mësime të nxjerra brenda vendit tonë, dhe ky është një parim i përgjithshëm që ne duhet ta aplikojmë kudo. Kudo ku ka një menaxhim profesional dhe certifikim të këtyre stafeve dhe këto ndërrmarrje nuk mund të përdoren më për interesa të ngushta politike suksesi është i garantuar. Kudo tjetër ku ka interesa të vogla nga bashkitë apo të jemi ‘të mirë me njerëzit’ dhe mos menaxhojmë sektorin ashtu si duhet, humbja është e garantuar dhe dështimi është një gjë që pritet.

Prandaj edhe ky takim është jashtëzakonisht i nevojshëm për koordinimin e të gjithë asistencës ndërkombëtare dhe këtu dua të them edhe një herë që asistenca ndërkombëtare, donatorët kanë patur një rol kyç në sektorin e ujit në Shqipëri. Sektori i ujit në Shqipëri, kërkon investime të mëdha kapitale, shqiptarët duhet ta dinë, duhen me dhjetëra e dhjetëra miliona euro cdo vit, për të mirëmbajtur sistemin tonë të ujësjellës kanalizimeve. Pra, investime të cilat nëse ne do të arrinim të kishim ujë siç duhet të ketë çdo vend modern sot europian, do të kërkonin investime kapitale shumë të mëdha, e barabartë kjo si me investimet e rrugëve.

Problemi është që këto para do të sigurohen patjetër nga mbështetja e donatorëve, por nga ana tjetër po nuk patëm një mirëadministrim ky është një investim i hedhur dëm. Dhe realisht roli i donatorëve këtu nuk është vetëm të pjesa e financimit, por ka shumë rëndësi që hapat e para të kësaj reforme, që ne po hedhim shumë seriozisht, të kemi një mirëkoordimin shumë të mirë mes tyre, në mënyrë që secili të bëjë atë që mund të bëjë edhe pa patur mbivendosje në programet e tyre.

Shpesh kam vënë re që donatorë të ndryshëm drejtohen vetëm në një drejtim. Patjetër që investimet janë të nevojshme dhe ato janë pjesa kryesore që ne nuk mund ta shmangim dot. Çdo donator është shumë i mirëpritur përsa i përket investimeve qoftë me grante, por qoftë edhe investimeve të mirëstrukturuara brenda hapësirave të borxhit publik, qoftë nesër edhe mbështetjes, që jam i bindur do të vijë edhe nëpërmjet Bashkimit Europian, i cili edhe ai ka mundësira të mëdha për financime në këtë sektor, por me të drejtë do të dojë të ketë performancë, dhe pikërisht për të arritur këtë performancë menaxheriale ne na duhet njohuri teknike dhe menaxheriale, dhe kjo do të vinte nga një mirëkoordinim i të gjithë donatorëve.

Kush donator do të marrë përsipër të mbështesë programin e asistencës për certifikimin menaxherial, cili donator do të na mbështesë në hartimin e kuadrit ligjor, në reformimin e sistemit ose agjencisë qëndrore të ujësjellës kanalizimeve që edhe ajo do një mirë menaxhim dhe një reformim total dhe unë shpresoj që kjo tavolinë, edhe pas prezantimit që do të bëjë z.Bonati, që është zv/ministër i ngarkuar posacërisht për këtë reformë dhe do të jetë pika e kontaktit për gjithë cështjet që lidhen me reformën e sektorit ujësjellës kanalizime, mbetje urbane, unë do të shpresoja që ne të dilnim me disa konkluzione duke parë edhe gjendjen si jemi të koordinimit, duke parë edhe objektivat tona, çfarë synojmë ne me këtë reformë. Kush është kuadri i përgjithshëm që ne adresojmë, patjetër të hapur edhe për komente dhe për mbështetje, por ne kemi nevojë për mbështetje teknike. E them haptazi fare, ne kemi objektiva shumë ambiciozë, por që duam mbështetje teknike, duam asistencë, duam njohuri, qoftë për legjislacionin e ri për ujësjellës kanalizimet qoftë për aspektet menaxheriale për sistemin e ndërmarrjeve, qoftë edhe parashikimet ligjore të vecanta dhe modelet e mira biznesi, që në rast se ato dështojnë, si do bëjë qeveria qëndrore, që edhe funksioni jetik i qytetarëve të vazhdojë, por njëkohësisht edhe të jetë një marrje përsipër brenda një kuadri rregullator të qëndrueshëm. Këto janë gjëra që patjetër kanë nevojë për koordinimin dhe mbështetjen e të gjithë donatorëve dhe harmonizimin e ndihmës atje ku duhet dhe ku është më e nevojshme.

Pra, le të vendosim së bashku për një prioritizim, pa u bërë xheloz pse një ka marrë këto ose ato. Çdo ndihmë është si një  bllok-skemë e tëra, sikur një komponent të mos funksionojë, se mund të hedhësh shumë para, por nëse çalon aspekti menaxherial i gjithë investimi do të shkojë dëm. Dhe nganjëherë një gjë e vogël që duket se nuk ka shumë rëndësi, mund ta nxjerrë të gjithë këtë përpjekje kot. Prandaj po them, pa xhelozi me njëri tjetrin, dhe këtu edhe unë do të bëj rolin tim me aq sa kam mundësi për të harmonizuar të gjitha interesat, dikush mund të investojë shumë inë investime kapitale, dikush tjetër mund të jetë me njohuri, dikush tjetër në mbështetje të ministrisë për të ndërtuar një strategji dhe një kuadër të qartë ligjor, dhe le të bëjmë më të mirën së bashku, sepse në fund të fundit edhe institucionet financiare që janë në tavolinë janë të ineresuar për të investuar. Po ju ku do të doni të investoni? Do të doni të investoni në një sektor që është performues dhe që i kthen investimet e tij. Pra, në fund të fundit interesi duhet të jetë i përbashkët, si për qeverinë shqiptare, që është më e interesuar në këtë drejtim, por edhe ju si donatorë, për fondet që keni në dispozicion, për kredinë që do të jepni për investimet që do të kthehen mbrapsht. Vetëm mirëmenaxhimi i këtij sektori, dhe qasja e përbashkët në këtë drejtim, mund të sjellë hapësira që këto investime do të jenë të frytshme dhe të hapin investime të tjera.

Kështu që edhe një herë dua t’ju falenderoj të gjithëve këtu për pjesëmarrjen, të gjithëve pa përjashtim, edhe ai që ka kontribuar më shumë, por edhe ai që ka një kontribut modest, ndihma juaj është e çmuar dhe jemi këtu për të dëgjuar sygjerimet tuaja, dhe pse jo të marrim përsipër edhe disa ndarje, obligime e angazhime në lidhje me atë çka do të prezantohet.

Ju faleminderit shumë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com