May 17, 2024

Ministri Gjiknuri prezanton pr/buxhetin 2018, para deputetëve në Komisionin e Ekonomisë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë ishte sot i pranishëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku diskutoi me deputetë të opozitës dhe maxhorancës mbi investimet e parashikuara dhe buxhetin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në projektbuxhetin e vitit 2018.

Në fjalën e tij Gjiknuri theksoi se kemi një buxhet që do të mundësojë realizimin e atyre objektivave kryesore që sigurojnë investime të qëndrueshme për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, funksionimin e disa shërbimeve jetike që edhe pse janë me probleme do të vazhdojnë, duke përmendur këtu rastin e ujësjellësave apo edhe të hekurudhës, si edhe ofrohet mbështetje për fushën e energjisë.

“Kemi mbështetjen më të madhe për investimet publike, sidomos për ndërtimin e rrugëve, një buxhet i cili shkon gati 42% më shumë se sa vitin e kaluar, domethënë që reflekton atë prioritet që i ka vënë qeveria shqiptare vetes, që është përmirësimi i infrastrukturës rrugore, kompletimi i akseve kryesore kombëtare dhe i nyjeve kryesore të transportit kombëtar, pasi mendojmë që qasja e deritanishme ka qenë jo shumë strategjike, pasi janë hapur shumë kantiere të pambështetura në buxhet dhe që nuk ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës kryesore kombëtare. Synimi i qeverisë është të mbyllë të gjitha ato punë të hapura, por njëkohësisht të hapë rrugë të reja”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sa i përket projekteve të tjera në infrastrukturë, ministri Gjiknuri përmendi edhe projektin e ri të by pasit të Tepelenës, Loti II i rrugës Korçë  – Ersekë, si edhe përfundimin e projekteve të nisura, përfshi këtu edhe rrugën e Kombit.

“Ju e dini që qeveria ka shpallur edhe projektin e Partneritetit Publik Privat me financime të qëndrueshme brenda hapësirave buxhetore nga buxheti i shtetit për projekte afatgjata, që do të thotë do të financohen me terma afatgjatë 10-13 vjeçare akse të rëndësishme kombëtare të cilat mungojnë , ose që duhet të jenë ose që janë jashtë standardeve të pranuara,” – vijoi më tej ministri.

Gjiknuri  theksoi se fokusi do të vihet në segmentet që kanë të bëjnë me atë që quhet korridori veri-jug, pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian, i cili ndihmon Shqipërinë të lidhet me vendet fqinje, por  që i jep mundësi edhe ekonomisë detare, sepse u shpreh ai, Shqipëria që të ketë zhvillim ekonomik krahas rritjes së saj, duhet të shfrytëzojë edhe pozicionin gjeografik, që portet të jenë në shërbim të ekonomisë rajonale.

“Pra, përsa i përket buxhetit të transportit rrugor, dhe këtu flas kryesisht për investimet në infrastrukturën rrugore, mendoj që është një buxhet i konsiderueshëm, nuk po them se është perfekt dhe i mjaftueshëm për gjithçka, sepse në fund të fundit dihet që infrastruktura rrugore kërkon investime masive. Buxheti i këtij viti, do të na mundësojë  të vazhdojmë përfundimin e segmenteve të nisura të hapim segmente që janë nyje kryesore kombëtare dhe që i shërbejnë më mirë qarkullimit brenda vendit dhe që i japin vlerë ekonomisë detare, apo i shërbejnë Shqipërisë për t’u kthyer në një nyje rajonale të tregtisë.” – u shpreh ministri.

Gjiknuri tha më tej se me këtë buxhet do të vijojnë financimet edhe për një pjesë të projekteve të ujësjellësave si edhe do të hapen projekte të ujësjellësave të rinj, në zona të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa vuri theksin në reformën e ujit, nisur së fundmi nga qeveria shqiptare.

“Kjo është një reformë e thellë e cila jo vetëm do të sjellë disiplinë financiare, do të sjell më shumë qëndrueshmëri, do të ndikojë edhe tek sektori  i energjisë elektrike i cili është sektori që goditet më shumë nga mospagesa e energjisë për shkak të gjendjes së vështirë të ujësjellësve. Humbjet më të mëdha në sektorin elektroenergjetik nga pikëpamja e borxheve të këqija që ata akumulojnë vijnë nga sektori i ujësjellës kanalizimeve. Kryerja e kësaj reforme do të ketë një përfitim të dyfishtë edhe në ekonominë kombëtare, edhe në investimet e mëtejshme në sektorin e ujësjellës kanalizimeve por mbi të gjitha edhe në vetë sektorin elektroenergjetik,” u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal edhe tek bashkëpunimi me vendet fqinj për promovimin e projekteve rajonale, qoftë në sektorin hekurudhor, qoftë në sektorin rrugor.

“Hekurudha ka qenë e nën financuar. Ka qenë një sektor që ka qenë i degraduar gjatë viteve postkomuniste, por mendoj që është sektori që mund të gjenerojë të ardhura sepse është transporti më i lirë për mallrat, për pasagjerët gjithmonë do të jetë e vështirë. Jemi duke aplikuar për financime të përbashkëta nga BE-ja dhe shpresojmë që edhe segmenti i pjesës deri në Han të Hotit të ketë investime të konsiderueshme që e bëjnë këtë hekurudhë funksionale dhe normale për atë nivel mallrash dhe gamë shkëmbimesh që mund të kemi jo vetëm me Malin e Zi por me të gjithë vendet e tjera që janë të lidhur me rrjet hekurudhor,” nënvizoi ai.

Gjiknuri theksoi se qeveria ka plane për promovimin e mundësisë të ndërtimit të aeroporteve të reja.

“Ka një interes të shprehur nga një konsorcium turk për aeroportin e Vlorës, i cili është duke u studiuar. Është duke u përgatitur studimi i fizibilitetit. Ashtu siç po kryejmë një studim për mundësinë e ndërtimit të një aeroporti turistik në Sarandë.”

Sa i përket investimeve në infrastrukturën e energjisë Ministri Gjiknuri u shpreh se do të kompletohen, ndërsa veçoi se vit për vit kemi një progres të dukshëm si në arkëtim dhe në reduktimin e humbjeve.

Ministri ju referua stokut të investimeve të rritura në infrastrukturë dhe me pjesëmarrjen e kapitalit privat, tha ai, do të shkojë gati 1 miliard dollarë duke patur një input të jashtëzakonshëm ekonomik.

“Ka një shqetësim të përgjithshëm që çfarë do të ndodhë me ciklin e investimeve në momentin kur TAP-i dhe Devoll Hidropower do të mbarojnë. Po ju them që sot që flasim ne kemi kontrata të lidhura të reja për gati 300 milionë euro të tjera investime ku përfshihet hidrocentrali i Kalivaçit, i Poçemit që të dyja bashkë kanë një stok prej 200 milionë dollarësh investime dhe janë mbi 100 milion dollarë investime të tjera ku është hidrocentrali i Shalës dhe disa hidrocentrale të tjera që janë kontraktuar kohët e fundit,” përfundoi fjalën e tij para deputetëve Ministri Gjiknuri.

Facebook Comments

MineralHygienics.com