December 23, 2024

Ahmetaj, “Në katër vite u krijua rreth gjysma e punësimit në vend. Sfida e ekonomisë, promovimi i burimeve të rinj të rritjes”

Fjala e Ministrit në Kuvend

Do desha që të ndaja me ju, pas debatit të gjatë që ka vazhduar dhe do të vazhdojë patjetër, disa citime të raportit të fundit periodik të Komisionit Europian.

E kuptoj shumë mirë, nuk e mirëkuptoj sigurisht, që debati kthehet vetëm në politik dhe poetik. Po është e domosdoshme që në një ditë si kjo, të përplasim idetë të bazuara në fakte, në statistika, patjetër dhe në përkatësi nëse doni politike ose ideologjike. Është gjëja më normale në botë. Ne jemi të mjatë, ju jeni të djathtë, qëndrimet diku konvergojnë, diku largohen në pozicione diametralisht të kundërta.

Unë po ju bëj një përmbledhje për ç’ka Komisioni ka thënë për Shqipërinë. Përmbledhja e parë ka të bëjë me rritjen ekonomike, “e cila do të vijë gjithnjë e më shumë nga konsumi privat”, thotë Komisioni Europian.

“Investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë janë në kulm. Eksportet vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke përfituar nga zgjerimi turizmit dhe forcimi i ekonomive të partnerëve kryesor tregtarë. Investimet dhe konsumi, kanë patur mbështetjen e politikës monetare akomoduese. Inflacioni është i ulët, por parashikohet të shkojë gradualisht drejt objektivit zyrtar. Qëndrueshëmria e politikës fiskale po redukton gradualisht nivelin e borxhit publik në raport në Prodhimin e Brendshëm Bruto”. Ky është specifikimi i pare.

Specifikimi i dytë ka të bëjë me: “rritja ekonomike u forcua në gjysëm e parë të vitit 2017”. Sigurisht që, këtu në debatin politik kanabis – jo kanabis, 2017 është vit rekord ku kanabisi është fshirë në masë gati 100% nga territori i vendit, edhe sipas raportit të fundit të Guardia di Finanza.

Prodhimi real është përshpejtuar në një normë prej 4% në terma vjetorë në gjysëm e parë të vitit 2017. Eksportet u rritën 15%. Unë dëgjova Kryetarin e Partisë Demokratike, ku thoshte që eksportet poshtë, ekonomia poshtë. Jam duke iu referuar Komisionit Europian. Pra, politikisht dhe poetikisht mund të flitesh si të duash, por statishtikisht do duhet t’i referohemi arbitrit, se e paragjykojmë njëri – tjetrin. Kur dikush thotë ekonomia bie, paragjykohet nga ne dhe nga qytetarët. Kur dikush thotë që ekonomia po rritet siç them unë, paragjykohet nga opozita, por ndoshta edhe nga ndonjë qytetar, apo nga qytetarët që nuk përfitojnë drejtpërsëdrejti nga rritja ekonomike.

Arbitri dhe statistikat e ndajnë këtë punë dhe për hatër te profesionalizmit dhe profesionalizmit politik, kur debatojmë në një ditë si kjo, e cila do duhet të ketë “nxehtësi” ekonomike, jo emocionale, do t’i referohemi këtyre raporteve.

Specifikimi tjetër, “kërkesa e brendshme po rrit nxitjen ekonomike”, thotë Komisioni. Pra, nuk e themi as ne, as ju. Ne jemi të paragjykuar me njëri-tjetrin në këtë sallë. Traditë e keqe, por kjo është e vërteta dhe kjo nuk na lë as të debatojmë pozitivisht për të ardhmen e vendit që e kemi të përbashkët. Nuk na le, kjo është fatkeqësi, por fakt që nuk na le të debatojmë midis nesh dikush di shumë, dikush di pak, po në finale ato që dimë kurrë nuk i ndajmë në favor të debatit për të ardhmen sepse i referohemi nxitjes personale politike. Pra, rrëzon edhe atë që ju të opozitës i referoheni këtu, ka rënë konsumi, ka rënë ekonomia, kanë rënë eksportet, importet. Asnjëra nuk paska rënë.

“Rritja e eksporteve pritet të mbetet e forte”, thotë Komisioni dhe “një ecuri e fortë e shërbimeve veçanërisht të turizmit, dha një kontribut pozitiv të eksporteve neto”. Shumë e rëndësishme.

Ka shumë tremujorë, madje tre vite, që eksportet neto japin efekt negativ në rritjen ekonomike. Më në fund, pra pas disa vitesh, eksportet neto kanë filluar të japin influencë pozitive në rritjen ekonomike. Kjo do duhet të na gëzojë, se tregon që me gjithë gamën e ngushtë të eksporteve, kemi filluar të eksportojmë shërbime. Pra, turizmi ka filluar të jetë një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe turizmi nuk nderohet, imazhi i vendit nuk furnizohet, duke folur këtu “droga, kanabisi, krimi”, e ku di unë se çfarë.

Përtej kësaj Komisioni thotë, “defiçitet e moderuara fiskale, do të sjellin rënien e borxhit publik”. Pra, a është problem borxhi publik në Shqipëri? Nëse debatojmë është apo nuk është, jemi të verbër. Ne të treja, të dyja, të katërta palët, themi që borxhi publik është problem, është i lartë. Madje do duhet të debatojmë, se çfarë ritmesh kemi të uljes së borxhit publik? A mjafton 2.5% rënie? Hajde ta bëjmë debat. Ku do t’i gjejmë burimet? Hajde ta bëjmë debat. Sa taksa mbledhim? Hajde ta bëjmë debat. Patjetër dhe do krahasohemi. Do krahasohemi, jo me krenari politike, po me përgjegjshmëri politike dhe profesionale. Hajde të krahasohemi 25.6% me 28.1%. Cila nga këto shifra na bën krenarë? Doni të dëgjoni mendimi tim personal? Asnjë nga shifrat nuk na bën krenarë. As 25.6% që e latë ju, as 28.1% që e çojmë ne. Jemi akoma larg dhe kjo është një fushë debati që këtej ka mendje të ndritura majtas, këtej ka mëndje të ndritura djathtas. Debat që ia vlen të bëhet, por jo “droga, kanabisi, ikën në Gjermani” etj. si këto.

Për më tej, kam sjellë një statistikë, që besoj do duhet ta përdorim si platformë kur debatojmë me njëri-tjetërin, aspak për krenari. Shqipëria vazhdon të jetë vend i varfër, ama për prespektivë nga vijmë, ku shkojmë, çfarë gabimesh kemi bërë, çfarë hapash të drejta kemi ndërmarrë, kjo është salla ku debatohet.

E kam debatuar me një mikun tim nga e djathta, që edhe e respektoj. Kam marrë Prodhimin e Brendshëm Bruto për banor, në lekë. Rritja nga viti 2013 në vitin 2017, është rritur 22.7%, me shifra. Mund t’i sfidoni shifrat e mia. Shifrat janë atje. Është rritur 22.7% nga 2013. Po të vazhdojmë pastaj me të ardhurat e disponueshme kombëtare bruto, është rritur 21.1%.

Po i njëjti mik do të më thoshte, “mos vallë është ulur popullsia në Shqipëri”? Mund ta thoshte, por unë i solla të ardhurat e disponueshme kombëtare bruto dhe nuk i mora ato për banorë, sepse mund të më sillte argumentin, që “mos ka rënë gjë vallë popullsia se kanë ikur në Gjermani”. Unë s’do desha fare të futesha tek ai diskutim, tek ai debat, se në këndështrimim tim, nuk sjell ndonjë dobi.

Ndërkohë, po në respekt të kujtdo që foli përpara meje, kur flet për punësimin, ka një problem serioz në raportin ndërmjet pensionistëve dhe punësimit. Patjetër, jemi akoma 1 me 1 gati. 1 pensionist me një të punësuar. A është ky raport i shëndetshëm për vendin dhe ata që vijnë pas nesh? Jo, është shumë larg, ama nëqoftëse unë ju sjell një prespektivë, që me politikat që kemi bërë jemi rritur gati 200 mijë vende pune, 423 mijë me 657 mijë në katër vite. Pra, 40% e totalit të vendeve të punës, është rriur në katër vjet. Dhe majtas dhe djathtas do duhet ta diskutojmë këtë shifër. Pra, gati gjysma e punësimit ka ndodhur në këto katër vjet. Po ku? Kanabis? Jo, të dashur miq, majtas dhe djathtas.

Ka vetëm në sektorin e shërbimeve, 30% rritje të vendeve të punës në katër vite në sektorin e shërbimit. Po t’i merrja të gjitha, me sektor të ndërtimit, me sektor të prodhimit, me sektor të shërbimit, të transportit, të tregtisë, janë të gjitha me rritje dhe kjo është një analizë që ia vlen të bëhet. Ia vlen të bëhet edhe ajo analizë që dëgjova këtu.

Çfarë vlerë të shtuar po fusim në industri? Pra, a jemi në një terren, ku po prodhojmë vlerë të ulët të shtuar, apo kemi nevojë për sofistikim ekonomik? Patjetër që kemi nevojë për sofistikim ekonomik. Kemi nevojë për industrializim të lehtë të vendit, jo të tipit sovjetik, por ato ndërmarrje të vogla dhe të mesme që prodhojnë. Prandaj ne sjellim atë politikë fiskale, se çfarë mund të bëjë buxheti? Buxheti do ngrejë fabrika dhe uzina? Besoj as mjtas, as djathas, asnjë s’e mendon se buxheti do ndërtojë fabrika dhe uzina, por promovon me politika fiskale dhe me politika thjeshtësimi proçeduriale.

Çfarë është 5% që kemi afruar për teknologjinë e informacionit? Është një tentativë serioze për të afruar kompani. Kompani, të cilat kanë vlerë të shtuar të lartë dhe jo call-center, as fason. Fason është një lulëzim i përkohshëm në një ekonomi, e cila ka akoma vlerë të shtuar modeste. Gjithë politika që ne tentojmë të bëjmë dhe bëjmë, është që të kalojmë nga fason, në cikle të mbylluar që të krijojmë profil ekonomik dhe të kalojmë tek zinxhiri tjetër, tek gama e zgjeruar e eksportit, se nuk e kemi dhe është një nga risqet që ka ekonomia shqiptare.

Në fund, po në respekt të debatit profesional që bëjmë, kur unë përmenda vendet e punës, një koleg i nderuar djathtas tha janë shtuar vendet e punës, por nuk janë shtuar kontributet dhe sigurimet shoqërore. Janë shtuar 49% kontributet nga viti 2013 dhe ka kaluar në 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, është rritur qoftë në krahasim relativ, qoftë në shifra nominal,e seriozisht. Unë jam gati t’i kaloj një nga një shifrat me këdo, për të përputhur punësimet me kontributin që paguhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, në favor të së ardhmes së tyre.

Unë thashë shumë shifra dhe patjetër që shumë nga ato me kënaqësi, me , hajde t’i debatojmë, ia vlejnë patjetër. Ia vlejnë të gjitha shqetësimet që ngritëm me ekonominë, me vlerën e shtuar, me punësimin, me eksportet, me importet.

Do desha që t’ju sillja dhe një shifër tjetër. Hajde ta diskutojmë edhe atë, se ajo ha debat. Ha debat dhe duhet të jeni të shqetësuar si ju, ashtu edhe ne. Kursimet private janë rritur nga 12.7 në 2014 në 16.9 në 2018, që është një rritje serioze. Investimet janë rritur total në ekonomi, në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 26.1% në 2013 në 28.1% në 2018 (parashikimi). Investimet private janë nga 20.5 në 21.6, pra me 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. E këtu meritojmë të bëjmë një debat që e kemi ngritur dhe ne, e ngrini dhe ju, po e anashkaloni shumë shpejt sepse ktheheni tek kanabis.

Ritmi i rritjes së investimeve të huaja, janë 374 milionë euro në gjashtëmujorin e parë. Me rritje janë. Sfidë është gjashtëmujori i dytë. Patjetër që ka investime të mëdha që janë duke e mbaruar fazën e investimit dhe po kalojnë në fazën e operimit. Çdo pyetje e përgjegjshme do të ishte, me çfarë do t’i zëvendësojmë? Ne po bëjmë një tentativë serioze, transparente, pavarësisht debatit që bëjmë këtu.

Po ofrojmë një paketë fiskale për turizmin. Kryetari juaj tha:”Po një bujtinë përse nuk paguan 6% TVSH”? Një bujtinë ofron “Bed & Breakfast”, nuk ofron SPA e as pishinë, e as shërbime me 5 yje, ta kemi të qartë. Më ndjeni sa të doni politikisht, por duhet t’i referoheni të vërtetës. Ne po sjellim një paketë serioze fiskale që ta promovojmë këtë kategori. Ky është një diskutim që ia vlen të bëhet. Me çfarë do t’i zëvëndësojmë ato projekte energjitike të cilat po mbarojnë fazën e tyre të investimit?

Këto janë debate që në mendjen e qytetarëve mbase -mbase asnjëri nga ne nuk ka të drejtë, ama duhen bërë shteruese, kjo është shumë e domosdoshme.

Unë ngelem në gatishmëri edhe për ndonjë debat për vërtetësinë e shifrave apo për tendencën e zhvillimit të shifrave qoftë në rritje, qoftë në stanjacion qoftë në rënie. Ne fatmirësisht kemi të njëjtën bazë krahasimi të dhënash.

Faleminderit!

Facebook Comments

MineralHygienics.com