May 18, 2024

Manastirliu: Shërbime sociale për 580 fëmijë në situatë rruge

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, Manastirliu: Shërbime sociale për 580 fëmijë në situatë rruge

 

 

Tiranë, 20 Nëntor – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën “Shkej” në periferi të Tiranës, ku trajtohen fëmijët në situatë rruge dhe ata me probleme social-ekonomike.

Ministrja Manastirliu shprehu angazhimin e Qeverisë për të ofruar shërbime të integruara për fëmijët në rrezik nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit, me synim, maksimalizimin e përpjekjes sonë për mbrojtjen dhe sigurinë për çdo fëmijë në Shqipëri.

 

“Falë punës së strukturave tona në terren sot, 580 fëmijë në situatë rruge kanë marrë shërbimet sociale që nevojshme për ta dhe familjen e tyre. 218 Njesite e Mbrojtjes se Femijeve, në vitin e fundit menaxhuan mbi 1400 raste të fëmijëve në rrezik abuzimi, dhune, shfrytëzimi apo neglizhimi, 722 prej tyre, raste te reja. Këtu nuk mund të lë pa përmendur se këtë vit shkollor, ja dolëm të regjistrojmë në shkollë 208 fëmijë  në situatë rruge. Por kjo arritje do të ishte e paplotë nese nuk arrijmë të sigurojmë riintegrimin e plotë të familjes. Në fakt, shifrat tregojnë se nga fëmijët e identifikuar në situatë rruge për vitin 2016, 103 prindër të fëmijëve në sitatë rruge, u punësuan”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

Më herët, Ministrja Manastirliu mori pjesë në Tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, me temë: “Drejt një strategjie të drejtësisë për të mitur” se ligji i ri për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve përcakton krijimin e një platforme ndër-sektoriale, që ka si qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha situatat e rrezikut ku ai mund të ndodhet, e sidomos nga dhuna, abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhimi.

“Edhe në nivel vendor, ngrihet tashmë mekanizmi i referimit dhe i trajtimit të rasteve të fëmijëve që kanë nevojë për ndërhyrjen e institucioneve, me grupe ndërsektoriale në përbërje të të cilëve do të jenë punonjësi i mbrojtjes së fëmijës, mjeku, mësuesi, psikologu, përfaqësuesi i policisë apo prokurorisë dhe cdo profesionist tjetër që mund të ofrojë ndihmë për fëmijën, duke i kthyer për herë të parë fëmijët në qendër të sistemit. Pra nuk do jetë fëmija që troket në cdo derë, por  profesionistët koordinohen për të punuar rreth tij”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Me ligjin e ri struktura e mbrojtjes së fëmijëve ne Bashki do të jetë 24/7  për tju ardhur në ndihmë fëmijëve në situatë risku në çdo orë të ditës dhe natës.

Ky sistem i integruar merr përsipër trajtimin e të gjitha problematikave të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe në rrezik.

 

Në një tjetër aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministrja Manastirliu priti në zyrën e saj një grup fëmijësh rezidentë në qendrat e përkujdesit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe nga disa shkolla të Tiranës.

Në nismën “Ministër për një ditë”, të vegjlit shkruan propozimet e tyre konkrete për atë çka duhet bërë më mirë për përmirësimin e jetesës së fëmijëve nga institucionet shtetërore.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com