December 23, 2024

Kumbaro: “Mjeda, ky misionar i dijes dhe jetës”

 

Dy përkujtime në një ditë bashkuan në fshatin Kukël të bashkisë Vau Dejës, personalitete, njerëz të letrave, politikanë dhe banorë të zonës, në edicionin e 13-të të takimeve kulturore “Ditët e Mjedës”.

“Në dëshirën për nxitjen e leximit dhe kthimin e vëmendjes te libri tek brezi i ri na nevojiten misionarë idealistë, shërbestarë të dijes dhe kulturës, që mund të bëhen shembuj frymëzimi: sepse ndryshimi fillon nga motivimi, fillon nga dëshira, fillon nga shpirti për t’u përpunuar më pas në mendje e për t’u kthyer në program. Mjedën sot e kujtojmë jo vetëm si poet të rrallë, por për më tepër dhe si misionar, si model të njeriut të përkushtuar dhe të vetëdijshëm për të zgjuar te ndjekësit e tij dashurinë për dijen, dashurinë për të bukurën, dashurinë për jetën”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Sivjet përkoi që 151 vjetori i ditës së lindjes të poetit Ndre Mjeda, të shënonte edhe 100 vjetorin e botimit “Juvenilia”, në 1917-ën në Vjenë, e njohur si kryevepra letrare e Mjedës. Mjeda ishte modeli i atdhedashurisë dhe intelektualit që rrezaton dituri ndër breza, thanë në fjalën e tyre Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe numri dy i qeverisë Senida Mesi.

Studiues të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi folën mbi figurën e Ndre Mjedës, si dhe veprat që ai la pas, duke i cilësuar si një gur i çmuar në letersinë shqipe.

Aktiviteti u pasua me interpretime të nxënësve të shkollave “Prenke Jakova” dhe “Jordan Misja” të Shkodrës, me pjesë nga poeti i rilindjes sonë kombëtare.

Facebook Comments

MineralHygienics.com