Partia Demokratike ka bllokuar sërish sot, punimet e Komisionit të Ligjeve për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Deputetja Dhurata Çupi duke iu drejtua kryetarit të komisionit, Ulsi Manjës, deklaroi: “Kemi nga njera anë Agron Xhafajn në brigjet e Vlorës që trafikon drogë dhe nga ana tjetër, Fatmir Xhafajn në brigjet e komisionti që të Ligjeve që trafikon ligjet.
Z. Manja, reflektoni, sepse këtu keni një grup deputetësh të mazhorancës që nuk kanë lidhje dhe një grup tjetër që kanë bashkëpunuar me Xhafajn për të trafikun e ligjeve. Jeni dhe një pjesë e mazhorancës e pafajshme në këtë afera qeveritare. Z. Manja, merrni masa. Ditën e shtunë, ju ftoj edhe ju zoti Manja, që të protestojmë për t’i kthyer legjitimitetin vendit tonë.”
Kryetari i komisionit ka replikuar me Çupin duke i thënë se “ne jemi një mazhorancë me 78 vota që rrëzohet me vota.”
Fjalën e ka marrë deputeti Edmond Spaho, i cili tha se “Fatmir Xhafajt, një njeri me një cen të tillë, nuk i takon të jetë ministër. PS-ja, Rilindja, ka të tjerë njerëz të ndershëm.”
Manja e falenderoi Spahon “për këshillën miqësore”, siç e quajti ai.